Spastrim te Skënderbeu, ikin Orelesi, Plaku e Idrizaj

0

Leonard Trebicka

Një ditë para se Skënderbeu të grumbullohet dhe të nisë fazën përgatitore verore, ka pasur zhvillime në kampin bardhekuq, ose më saktë të tjera largime. Pas Hamdi Salihit, Kornel Predeskut dhe Marvin Ogunxhimit, radha u ka ardhur Sebino Plakut dhe Nuredin Orelesit dhe Hektor Idrizajt. Sulmuesi u kthye te Skënderbeu në gjysmën e dytë të sezonit që sapo përfundoi, por tashmë është larguar përfundimisht. Ai nuk bën pjesë në listën e Sllovenisë. Në fakt, Plakut i ka përfunduar kontrata me juglindorët dhe palët janë ndarë këtu. Edhe nigeriani Nuredin Orelesi i ka thënë lamtumirë skuadrës korçare. Për largimin e tij kishte ditë që flitej dhe dje është mësuar se edhe ai nuk është pjesë e listës së lojtarëve, të cilët do të ketë në dispozicion trajnerit Ilir Daja në Slloveni. Futbollisti afrikan, me mbylljen e kontratës, është ndarë me Skënderbeun, pasi gjatë sezonit të fundit kishte humbur shumë nga forma e tij e dikurshme. Edhe mbrojtësi vlonjat, Hektor Idrizaj, duket se e ka mbyllur aventurën me juglindorët. Ai ka qëndruar në stol thuajse gjithë sezonin, por nuk është çudi që ditët në vazhdim të kemi edhe emra të tjerë, që mund të mbeten jashtë listës. Javë më parë është larguar edhe Masato Fukui dhe mbetet për t’u parë kush e ka radhën…

HASANI – Prej ditësh te Skënderbeu kanë nisur lëvizjet në dalje dhe në hyrje. Mes emrave që qarkullojnë si përforcimet e radhës janë ata të Afrim Takut dhe Edon Hasanit. Në fakt, ka një lidhje mes këtyre lojtarëve. Taku ende nuk ka kthyer përgjigjen përfundimtare dhe drejtuesit korçarë po mendojnë edhe për shkodranin Edon Hasani. Ky i fundit është lakuar edhe më parë si objektiv i Skënderbeut, por nga dje zërat janë shtuar. Nëse Taku kthen përgjigje negative, gjasat janë të mëdha që Hasani të bashkohet me Skënderbeun, por situata duhet ndjekur ditë pas dite.

PREZANTIMET – Siç ka bërë me dije “Sport Ekspres”, sot është radha që presidenti Ardjan Takaj të fillojë me prezantimet e lojtarëve të rinj. Donjet Shkodra, blerja e parë e bardhekuqve, do të prezantohet sot me ekipin. Në mesditë Takaj dhe Shkodra do të bëjnë edhe fotot zyrtare të prezantimit, ndërkohë që dy ditë më pas radhën do ta ketë Bruno Dita, i cili ka lajmëruar se do të niset nga Turqia për në Slloveni dhe aty do të bëjë edhe prezantimin. Nuk është çudi të kemi edhe ndonjë prezantim tjetër gjatë këtyre dy ditëve, sepse pritet të konkretizohen të tjera marrëveshje me lojtarë të tjerë nga ana e drejtuesve të klubit korçar.       

Largimet

Hamdi Salihi

Marvin Ogunxhimi

Kornel Predesku

Sebino Plaku

Nuredin Orelesi

Masato Fukui

Hektor Idrizaj

Afrimet

Donjet Shkodra (zyrtare)

Bruno Dita (zyrtare)

Afrim Taku (?)

Edon Hasani (?)

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.