Spartak Meraku mbyll “pushimet”, kalon aksioner te Maliqi

Pas një periudhe rreth 20 vjeçare në krye të Bilishti Sport, sot Devolli, biznesmeni Spartak Meraku ka kaluar si aksioner te skuadra e Maliqit në Kategorinë e Dytë. Duke qenë skuadër e Prefekturës së Korçës, Meraku nuk ka ngujuar ti përgjigjet pozitivisht kërkesës së Bashkisë të Maliqit, dhe këtë fundjavë marrëveshja mes tyre ka marrë rrugë. Ndërsa nostalgjia e tij për vitet në krye të skuadrës së Bilishtit është e madhe, ai thekson se në futboll ka edhe largime e afrime.

Në deklarimin e tij për SportEkspres.com, vetë Spartak Meraku tregoi se te Maliqi shkon për të dhënë kontribut që kjo skuadër të synojë ngjitjen në Kategorinë e Parë. “Nuk e mendoja veten larg futbollit dhe oferta që më bëri Bashkia e Maliqit më tërhoqi. Në krye të skuadrës së Bilishtit isha rreth 20 vite dhe kam shumë nostalgji për të, por në futboll janë të pranueshme largimet dhe afrimet, ndaj dhe nuk hezitova që të jap kontributin tim te skuadra e Maliqit”.

Në merkaton e muajit janar 2019, te Maliqi janë afruar futbollistët Elio Beshiri nga Korabi, Roxhens Zeqo nga Egnatia, Shkelzen Tako nga Devolli dhe Lion Ndoci nga Pogradeci. Skuadra e Maliqit renditet në vendin e 3-të në Grupin B të Kategorisë së Dytë me pikë të barabarta me Devollin e vendit të 2-të, dhe 1 pikë më pak nga Shkumbini kryesues.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *