Spaleti “ndez” derbin: Inter-Milan, për infarkt!

Trajneri i zikaltërve: Do kem përballë Montelën dhe një skuadër të frikshme. Ikardi? Është në superformë

Luçiano Spaleti i gëzohet Interit të tij që, mes mijëra vështirësive, ka arritur të stabilizohet në vendet e larta të renditjes. Në rikthimin e kampionatit (pas kombëtareve) do të jetë edhe provimi i pjekurisë. Derbi, kundër një Milani të “plagosur” dhe me Montelën si trajner në derën e daljes, por, ndërkohë, trajneri toskan është i kënaqur me momentin pozitiv edhe të Ikardit. “Nuk gjykoj Sampaolin, por unë e kam parë shumë mirë Ikardin dhe me Beneventon ka bërë ndeshje perfekte”. Më pas për kampionatin ai ka thënë: “Vendi i dytë do të ishte shumë i bukur, por kemi shumë rrugë për të bërë”.

DERBI – Spaleti  e ndjen që tani aromën e derbit. “Është një ndeshje e çmendur dhe e mrekullueshme që njerëzit e jetojnë ditë pas dite. Nëse është i ndryshëm nga derbi i Romës, do e them më vonë, por përgjegjësia është e lartë. Pastaj do të kem përpara mikun tim të madh, Montelën, me të cilin kam një raport special. Unë e futa në fushë në ndeshjen deçizive me Empolin dhe arritëm të shpëtonim. Milani është një skuadër e fortë, një kundërshtar dhe rival me të gjithë respektin”.

STARTI – Nisja e kampionatit ka qenë pozitive, por trajneri toskan nuk do të vendosë limite. “Sipas meje, nëse shihen pikët, ato janë shumë, por mund të jenë edhe më shumë. Lojtarëve duhet t’u mësosh se ku duam të arrijmë. Duhet të rritemi ende dhe të bëjmë shumë më mirë në aspekte të ndryshme, por punojmë për këtë. Nëse Interi është në 100% unë nuk e di, por lojtarët janë shumë të disponueshëm. Unë pres përmirësime në çdo ndeshje. Trekuartisti? Të mos krijojmë çështje kot kur nuk ekzistojnë. Unë bëj rotacion në mesfushë sepse dua t’i mbaj të gjithë mesfushorët të karikuar. Të gjithë kanë dhënë kontributin e tyre”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *