Spaleti: Na ka ç’orientuar merkato, në vallë fati i Interit!

Interi udhëton nesër drejt Parmës dhe i duhet të reagojë pas rezultateve zhgënjyese. Fitorja është ilaçi më i mirë për moralin e ekipit të Spaletit, por dhe për renditjen. Milani dhe skuadrat e tjera janë afruar, gara për një vend në Champions po bëhet gjithnjë e më e fortë dhe askush nuk ka ndërmend të dorëzohet.

Luçiano Spaleti ka folur në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me ekipin emilian, duke u ndalur te gjendja e ekipit të tij. Trajneri tregon rrugën e duhur për të dalë nga kriza dhe kjo nis me një fitore kundër Parmës, në një fushë ku zikaltrit kanë hasur gjithmonë probleme.

SITUATA – “Është e ligjshme që çdo gjë mund të vihet në pikëpyetje tani, sepse fjalët nuk vlejnë kur rezultatet mungojnë. Por rrezikojmë dhe të futemi në konfuzion. Ka gjëra që nuk duhen hedhur poshtë. Ekipi po punon në të njëjtën mënyrë, disa gjëra duhen përsëritur dhe të tjera duhen përmirësuar. Lojtarët e dinë që nevojitet përmirësim dhe në valle është fati i Interit dhe i yni. Tani kemi nevojë për një ndeshje të madhe. Kundër Parmës duhet të bëjmë një ndeshje të madhe dhe të sigurojmë fitoren.”

E ARDHMJA – “Mesazhi që kam marrë nga klubi është i njëjti. Rinovuam në verë për tre vite të tjera, sepse ishim të bindur që mund të rrugëtonim së bashku drejt objektivave tanë. Por kemi nevojë për kohë. Sa më përket mua, gjërat nuk kanë ndryshuar dhe shpresoj që kështu të jetë dhe për Interin. Askush nuk mund të na ndihmojë, ashtu sikurse askush nuk mund të na ndalojë. Duhet të zbresim në fushë për të nderuar klubin, tifozët, bluzën dhe veten tonë.”

KRIZA – “Duhet të punojmë shumë me kokat e lojtarëve. Na ka munguar ajo pjesë finale e kualitetit tonë. Dëmtimi i lojtarëve dhe pezullimet i ndodhin çdo ekipi, ndërsa merkato na ka sjellë pak hutim dhe çoroditje. Ikardi është pjesë e kësaj. Talenti, futbollisti i fortë dhe ai që shënon gola vjen në pah me ndihmën e skuadrës. Pa punën në grup, nuk ka asnjë sulmues që mund të rregullojë fatin e ekipit. Duhet të jemi të bashkuar që të kalojmë këtë situatë. Çdokush duhet të përmirësohet. Duke parë rezultatet tona të fundit, gjithçka mund të vihet në dyshim. Nuk mund të hedhim gjithçka poshtë, por duhet të shfrytëzojmë kualitetin e lojtarëve tanë për të dalë nga kjo situatë.”

PARMA-NAINGOLAN – “Duhet të luajmë ndeshjen tonë dhe të bindim. Do të përpiqemi të përmirësohemi. Kundër Parmës nevojitet një ndeshje e madhe dhe na presin shumë duele. Ne jemi ekip më i mirë se ajo që kemi treguar, por na shpëton vetëm puna. Keita? Ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës. Kur nuk luan prej një kohe të gjatë, ke nevojë dhe për disa ditë pushim. Megjithatë, ai mund të luajë një gjysmë ore. Naingolan është përmirësuar dhe pres një përgjigje të madhe nga ana e tij, pasi kualiteti nuk i mungon. Raxha di ta përballojë presionin dhe të tregojë se çfarë di të bëjë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *