Spaleti i zhgënjyer: Ishte një Inter frikacak!

Pas fitoreve kundër PSV-së dhe Totenhemit, si dhe triumfit ndaj Milanit në derbi, Interi shkonte me moralin në qiell në Camp Nou, por duket se Barça është ende shumë larg, edhe pa Mesin.

Fitore 2-0 dhe mbi të gjitha dominim, ndaj trajneri i Interit Luçiano Spaleti nuk e fsheh zhgënjimin e tij: “Më vjen më shumë keq për idenë që dhamë në pjesën e parë. Këto janë ndeshje që të japin besim dhe bindje, si ndaj Totenhemit dhe PSV-së. Prisja të njëjtin qëndrim edhe sot, sepse e di që mund ta bëjmë, por nuk patëm guxim në pasime, në dalje nga zona dhe Barcelona e interpretoi shumë mirë këtë mënyrë të gabuar loje nga ana jonë.

“Çfarë na mungoi? Nuk është problemi te ndonjë lojtar i veçantë, problemi është se nuk e mbanim fare topin dhe nuk gjenim dot hapësira. Duhej më shumë agresivitet për të rikuperuar topin, por luajtëm me shumë frikë”.

Derbi super, por në Camp Nou Inter i transformuar për keq: “Barça e luan topin shumë shpejt, është ekip shumë reaktiv dhe mendon me shpejtësi të jashtëzakonshme. Na mbytën me presing dhe nuk dinim ç’të bënim. Nëse duam të bëhemi skuadër e madhe, duhet të fitojmë vetë, pa pasur nevojë të ndalet rivali ynë. Sot ishim shumë keq dhe kështu nuk shkon”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *