Spaleti firmos në Kinë: I lumtur që jam trajner i Interit

Luçiano Spaleti do të bëhet trajner i Interit, duke firmosur në… Kinë. E çuditshme, por kështu funksionon tashmë klubi milanez, që me sa duket zyrat i ka në Azi, me pronarët e klubit që duan t’i zyrtarizojnë vetë gjërat.

Sot ish-trajneri i Romës është nisur për në Kinë, së bashku me drejtues të tjerë të lartë të Interit, ndërkohë që i rrethuar nga gazetarët ka lëshuar një batutë për të ardhmen: “Jam i lumtur që jam trajner i Interit. Mungon firma? Asnjë problem, kemi shtrënguar duart dhe kaq mjafton, jemi me të vjetrën, nga ata që i bëjnë gjërat edhe kështu”.

Spaleti ka folur edhe për drejtorin Sabatini, me të cilin ka punuar më parë te Roma, duke pasur edhe ndonjë mosmarrëveshje: “Nuk është e nevojshme ta them që është kënaqësi të punoj me të. Valter është një person shumë i zoti në punën që bën dhe kjo ma bën punën të lehtë edhe mua”.

Ndërkaq, drejtori sportiv Piero Auzilio deklaroi: “Do ta çojmë trajnerin të prezantohet me pronarët e klubit. Kemi menduar gjithnjë për Spaletin, e donim tek Interi dhe ia dolëm mbanë. Tani synojmë që Interi të riniset menjëherë, për të qenë gati për sezonin e ardhshëm”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *