Spaleti: Barcelona më e fortë, por nuk e pranonim humbjen

Pas barazimit me Barcelonën, Luciano Spaleti vlerësoi grintën e shfaqur nga Interi. Trajneri zikaltër tha: “Dukej si një ndeshje që do të përfundonte pa gola, por në mënyrë të papritur e pamë veten në disavantazh. Reagimi i lojtarëve të mi ishte vendimtar, pasi nuk e pranuan humbjen. Gjesti i Ikardit, që mori topin nga rrjeta pas golit të barazimit, duke dhënë një sinjal të rëndësishëm, ishte treguesi më i mirë”.

“Vuajtëm në pjesën e parë, sepse ashtu si në ndeshjen e kaluar, nuk arritëm ta qarkullonim si duhej topin. Realizuam disa dalje të shpejta, duke i krijuar edhe mjaft probleme Barcelonës, por nuk arritëm të kishim kontrollin e topit dhe të ritmit të lojës. Fatkeqësisht, në këtë këndvështrim, Barcelona është ende më e fortë”.

Edhe pse katalanët kanë më tepër kualitet, jo vetëm përballë Interit, por edhe me skuadrat e tjera të mëdha europiane, tifozët zikaltër u kthyen të gjithë të kënaqur në shtëpi. Emocione të forta për mbështetësit e Interit, që tashmë besojnë te kualifikimi.

Spaleti deklaroi: “Jam dakord që kjo ishte një ndeshje emocionuese për tifozët. Duhej të bënim diçka për të fituar vlerësimin e mbështetësve dhe skuadra i’a doli, pavarësisht se në disa raste gabuam. Treguam kurajë, ashtu sikundër edhe publiku pretendonte nga ne. Jemi të kënaqur për paraqitjen e bërë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *