Soue: Nuk e ndjej lodhjen, dua patjetër titullin kampion

Sulmuesi i Skënderbeut thekson: Pas fitoreve me Partizanin dhe Kukësin mendova se ishte e lehtë, por shoh që kampionati është shumë i fortë 

Leonard Trebicka

Po mban peshën kryesore të Skënderbeut në sulm dhe nuk e ndjen aspak lodhjen, edhe pse po luan titullar çdo 3 ditë. Ali Soue ka shënuar 3 gola në kampionat për korçarët, por edhe kur nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës ka qenë i rëndësishëm për ekipin me penllati të fituar dhe hapësira të krijuara për lojtarët e tjerë. Në një intervistë për “Sport Ekspres” sulmuesi thekson se kampionati në Shqipëri është i fortë, por ka shumë besim se do të fitojë titullin kampion me Skënderbeun, pse jo dhe “Këpucën e artë”. Për momentin, lojtari nga Gambia duket i pazëvendësueshëm në formacionin e trajnerit Daja.

– Ali, ndaj Teutës arritët të shënoni në atë fitore të thellë. A ndiheni më i qetë tani?

– Jo, nuk mund të them se tani kam fituar qetësinë. I qetë kam qenë kurdoherë, madje edhe kur nuk kam shënuar në portën kundërshtare, pasi loja ka qenë ajo që gjithmonë më ka kënaqur jashtë mase. Mund të them se kur zhvillojmë lojë të mirë dhe ekipi fiton, siç edhe ka ndodhur, atëherë gjithçka bëhet e bukur dhe unë jam i qetë.

– Radhën e ka Luftëtari në kampionat. Presim golin e radhës nga Soue?

– Qëllimi i një sulmuesi, sa herë që luan, është të arrijë të shënojë. Bukur është kur golat janë të rëndësishëm. Nëse ekipi fiton, objektivi është arritur edhe për atë ndeshje, prandaj edhe me Luftëtarin është i njëjti objektiv. Nëse Skënderbeu do të fitojë dhe unë shënoj, atëherë është edhe më bukur për mua. Kam besim se edhe ndaj Luftëtarit do të mbajmë ritmin, do të luajmë mirë dhe do të fitojmë në fund.

– Do të jetë e vështirë ndaj Luftëtarit, e njihni këtë kundërshtar?

– Çdo takim ka specifikën e vet dhe vështirësitë e veta. Ne luajmë përballë publikut tonë dhe fitorja është objektivi ynë i vetëm. Luftëtari do të kërkojë të marrë pikë, këtë e dimë fort mirë,por e kemi përgatitur mirë këtë 90-minutësh, në mënyrë që gjithçka të shkojë siç duam ne.

– Pas 7 javëve të para Skënderbeu është në krye me 19 pikë. Jeni i kënaqur me këtë ecuri të skuadrës?

– Sigurisht që po. Jemi vetëm dy pikë më pak se maksimumi i pikëve dhe nuk ka si të mos jemi të kënaqur. Sigurisht që mund të kishim bërë edhe më mirë, duke fituar edhe atë ndeshje që barazuam në Kamzë, por ajo ndeshje ka përfunduar dhe nuk kthehet më pas. Do të kërkojmë të mbajmë këtë ritëm dhe ta thellojmë javë pas jave diferencën me rivalët tanë.

– Po rivaliteti për titullin kampion, si ju duket?

– Të them të drejtën, në momentin e parë, kur fituam me dy rivalët tanë, megjithëse ishte vetëm fillimi, mendova se do të ishte shumë e lehtë, por e shoh që kampionati është shumë i fortë dhe me rivalitet. Kukësi është duke mbajtur ritmin tonë dhe vetëm përballja direkte me ne bëri diferencën që sot të jemi në krye, me tri pikë më shumë.

– Ju tremb fakti që Kukësi vazhdon të mbajë ritmin tuaj dhe ju ndjek nga pas?

– Jo, aspak. Na motivon më shumë që të bëjmë më mirë në çdo ndeshje. Nëse marrim atë që duam në çdo takim, diferenca në të ardhmen do të jetë më e madhe. Madje, për këtë ju siguroj që do të ndodhë.

– Ali Soue në formacion si në kampionat, por edhe në Europa League. Ndjeheni i lodhur?

– Jo. Madje mund të them se do të vazhdoj kështu deri në fund. Mua më pëlqen të luaj dhe të jem gjithmonë në fushë. Nuk ndjej lodhje dhe të paktën deri tani falënderoj Zotin që po shkon gjithçka mirë. Shpresoj të mos kem probleme fizike dhe të vijoj kështu gjatë gjithë kohës.

– A e konsideroni veten pretendent për “Këpucën e artë”, ndërkohë që Skënderbeu do titullin?

– Është pyetje pak e sikletshme, pasi nuk preferoj të flas me premtime për veten. Nëse do të fitojmë titullin, çdo gjë do të jetë shumë mirë për mua, pasi ky është objektivi ynë i përbashkët dhe që duhet arritur patjetër. Nëse bashkë me titullin do të vinte edhe “Këpuca e artë”, do të ishte një kënaqësi më e madhe. Por llogaritë bëhen dalëngadalë dhe hap pas hapi. Më mirë të presim dhe pastaj të flasim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *