Soue në Superiore? Shifrat dhe kjo ofertë i thonë të gjitha

Ali Soue erdhi në Shqipëri verën e vitit 2018 dhe fitoi gjithçka me fanellën e Skënderbeun. Sulmuesi arriti të shënonte 21 gola dhe bëri për vete “Këpucën e Artë” dhe më pas Kievo e huazoi atë te CSKA e Sofies. Bullgarët u bindën menjëherë dhe paguan për kartonin e tij shumën e 350 mijë eurove.

Sulmuesi i përfundon kontrata në fund të qershorit të vitit 2022, ndaj çdo klub që e dëshiron duhet të paguajë një shifër të mirë për ta transferuar futbollistin nga Gambia. Sikurse edhe kuptohet, është e vështirë që ndodnjë klub shqiptar, Partizani, apo kushdo tjetër, të mund të blejë sulmuesin Ali Soue.

Fundjavën e shkuar, juristi i klubit të kuq, Geri Burba, ishte i pranishëm në stadium gjatë ndeshjes CSKA Sofia-Ludogorets dhe ndoshta kjo ka bërë që emri i Soue të lidhet me Partizanin. Sigurisht askush nuk i ndal kryeqytetasit të ëndërrojnë, por arritja e një marrëveshje për transferimin e ish-sulmuesit të Skënderbeut është një mision i pamundur.

Ali Sowe, i lakuar si pasues i sulmuesit Rodajega të Trabzonspor

Emri i Soue është lidhur edhe me një transferim të mundshëm te Trabzonspori, klub ku luan edhe Kaleb Ekuban. Kolumbiani Hugo Rodajega, i cili në korrik mbush 34 vjeç, është drejt largimit dhe sulmuesi i CSKA-së së Sofies shihet si alternativa më e mirë për ta zëvendësuar. Kartoni i Soue vlerësohet rreth 1 milionë euro, shumë që edhe mund të paguhet nga turqit.

Nga ajo që mëson SportEkspres.com nga burime pranë lojtarit, për Soue ka interesim edhe nga klube të tjera në Turqi dhe bullgarët madje kanë refuzuar edhe një ofertë që kap shifrën e 700 mijë eurove. Sezoni i mirë që po bën në Bullgari, teksa ka shënuar 11 gola deri më tani, bëjnë që drejtuesit e CSKA-së të mendohen mirë para se ta shesin sulmuesin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *