Soue: Jemi një klub i madh, shumë shpejt vijnë golat

0

Sulmuesi nga Gambia është paraqitur shumë mirë në lojë gjatë 180 minutave të para me kuqebardhët, por ende nuk ka mundur të gjejë golin e parë 

Leonard Trebicka

Erdhi te Skënderbeu përpara raundit të “play-off”-it në formën e huazimit nga skuadra e Kievos në Itali dhe duket se shumë shpejt ka fituar zemrat e tifozëve korçarë. Pakkush mendonte që futbollisti nga Gambia, Ali Soue, do të përshtatej kaq shpejt. Në dy takimet ndaj kroatëve ka rënë në sy loja e tij dhe shpirti i garës, edhe pse nuk arriti të shënonte të paktën një gol. Specialistët që i kanë ndjekur të dyja ndeshjet, janë shprehur me nota shumë pozitive për këtë futbollist dhe pritet që në kampionat të jetë ndër shënuesit më të mirë. Ali Soue premton se sezonin e ri do të fillojë edhe me tundjet e rrjetave, duke u munduar që ta zëvendësojë Hamdi Salihin. Dje, përpara stërvitjes së parë pas triumfit më Dinamon e Zagrebit, Soue për “Sport Ekspres” ka theksuar: “Dua t’ju them se jam shumë i lumtur, që kemi arritur këtë sukses të madh në Europë. Në fakt, nuk e kisha menduar më parë se sapo të vija te Skënderbeu, do të shkonim deri në grupe, por tani e them me bindjen time më të madhe se kam ardhur në një skuadër të madhe. Është sigurisht shumë pozitive që jemi këtu ku jemi, në fazën e grupeve të Europa League. Po aq pozitive është edhe ajo që u përshtata shumë shpejt me skuadrën time të re dhe kjo bëri që të paraqitesha mirë me Skënderbeun në dy ndeshjet e para. Në fund të fundit, kam treguar atë që jam. Ju thashë që në fillim se do të bëja më të mirën për Skënderbeun. Sa për shortin e grupeve, mund të them se doja të kishim përballë skuadra më të mëdha, por që shorti është short dhe do të luajmë ndaj këtyre kundërshtarëve që tashmë i kemi mësuar.”

SEZONI – Futbollisti nga Gambia ka folur edhe për sezonin e ri, që starton më 9 shtator, duke premtuar sa më shumë gola për Skënderbeun: “Tani na duhet të përgatitemi për startin e sezonit të ri dhe deri në dhjetor do të luajmë shumë ndeshje në tre kompeticione. Jemi një klub i madh dhe kemi si objektiv të fitojmë të gjitha trofetë. Personalisht, do të stërvitem sa më shumë të jetë e mundur, në mënyrë që të shënoj sa më shpejt golin e parë me fanellën bardhekuqe dhe më pas të shënoj sa më shumë për Skënderbeun. Të gjitha ndeshjet që do të luajmë nga 9 shtatori e në vazhdim janë shumë të rëndësishme dhe ju them të gjithëve se skuadra që jam do të jetë edhe më e frikshme në vazhdim.” Këto kanë qenë fjalët e Ali Soue, sulmuesit që ka ardhur me bujë te Skënderbeu dhe që duket se vërtet se do të jetë një sulmues i fortë, që i shërben shumë ekipit në fushë, duke tërhequr përpara.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here