Soue i qartë: Shqipëria një sfidë, bëj më shumë se Ekuban

0

Sulmuesi i ri i Skënderbeut e vlerëson një mundësi të artë ardhjen në Shqipëri. Nuk premton gola, por maksimumin. Ka idhull Henrinë dhe bën tifo për Sasuolon

Leonard Trebicka

Një prezantim ndryshe nga të tjerët. Një prezantim i bujshëm ishte ai i djeshmi për sulmuesin e marrë hua nga Kievo, Ali Soue, i cili mbërriti në Korçë bashkë me menaxheren e tij. Prezantimin e këtij lojtari e ka menaxheri i përgjithshëm i Skënderbeut, Gerhard Takaj. Më pas Soue ka folur për gazetarët, duke shpalosur ambiciet e tij në aventurën që sapo ka nisur. Ai pranoi se Skënderbeu është në mundësi e mirë për të ardhmen dhe shpreson të bëhet faktor, siç tha vetë, më shumë se Ekubani te Partizani. Sulmuesi tregoi idhujt e tij, pozicionin e preferuar dhe çfarë di për Skënderbeun dhe Shqipërinë. Ja dhe intervista e plotë e përforcimit të fundit të Skënderbeut.

Soue, po nisni një aventurë të re në Shqipëri, çfarë ju bindi të vinit këtu?

– Kam zgjedhur të vij në Shqipëri, sepse doja të nisja një aventurë ndryshe. Më kanë folur shumë mirë për Skënderbeun dhe më ka tërhequr menjëherë projekti madhor i klubit korçar. Për këtë zgjodha të vij këtu dhe të nis këtë aventurë.

– Një tjetër lojtar nga Kievo ka luajtur në Shqipëri, Kaleb Ekuban, e njihni?

– Po, e njoh. Ai është shoku im, kemi luajtur te Kievo së bashku, kur ishim më të rinj. Njihemi normalisht, kemi qenë pjesë e një ekipi.

– Ai ka luajtur këtu sezonin e fundit dhe tani ka kaluar te Lidsi. A e ndërroni edhe ju një “katapultim” të tillë?

– Sigurisht, të tregohem i sinqertë, edhe këtë e mendoj. Eshtë një mundësi mjaft e mirë, që të jap maksimumin tim këtu dhe të arrij të përshtatem mirë me futbollin në Shqipëri. Në anën tjetër, e di që Skënderbeu të jep mundësi të biesh në sy dhe mendoj se mund të bëj më shumë se çfarë bëri Ekuban këtu në Shqipëri.

– Cila është kontrata juaj me Skënderbeun, një huazim i thjeshtë apo diçka më shumë?

– Të them të vërtetën, nuk jam interesuar shumë për formulën e huazimit. Këto janë biseda, që i kanë bërë dy klubet mes tyre. Personalisht, e kam përqafuar menjëherë idenë për të qenë pjesë e Skënderbeut sapo është shfaqur kjo mundësi. Mendoj se është diçka që u takon klubeve dhe unë jam i qetë në këtë pjesë.

– Luani si në krah, ashtu edhe në qendër të sulmit, kush është pozicioni juaj i preferuar?

– Jam një lojtar, që më pëlqen të vrapoj shumë në fushë, të ndihmoj shumë ekipin. Më pas i takon trajnerit të zgjedhë se në çfarë pozicioni të sulmit do të luaj. Jam këtu për të shënuar gola dhe nuk ka rëndësi se ku luaj. Çdo pozicion në sulm më shkon përshtat.

Duke qenë se përmendët golat, çfarë shifre mund të parashikoni për sezonin e ri?

– Për momentin nuk mund të them asgjë, pasi do të ishte një premtim pa bazë. Dua të jap maksimumin në këtë ekip dhe të bëj më të mirën time.

– Ju vini nga futbolli i madh italian. Kush është idhulli juaj si sulmues?

– Personi që më ka bërë të dashurohem me sulmin, është Tieri Henri. E kam ndjekur gjithmonë dhe është ai që më frymëzon më shumë në futboll. Ndërsa për sa u përket sulmuesve që luajnë në Itali, më pëlqen shumë Higuain, edhe pse nuk jam tifoz i Juventusit.

Për cilin ekip bëni tifo në Itali?

– (Qesh). Nuk do doja të përgjigjesha, por, përveç Kievos, më pëlqen shumë loja e mirë që zhvillon Sasuolo. Pra, bëj tifo për Sasuolon.

Sa i informuar jeni për futbollin Shqiptar?

– Të them të drejtën, është hera e parë që njihem nga afër me futbollin shqiptar. Kam ardhur me qëllim për ta jetuar këtë eksperiencë të re.

– Për Skënderbeun, çfarë keni dëgjuar më parë?

– Kam dëgjuar në kohën, kur Ekuban luante në Partizanin. Drejtuesit e Kievos më kanë thënë se është edhe një tjetër ekip në Shqipëri, që është shumë interesant. Bëhej fjalë për Skënderbeun.

– Në pesë takimet e zhvilluara në Europa Legue të Skënderbeut, a keni parë ndonjë prej tyre?

– Jam informuar herë pas here për ecurinë e Skënderbeut që në momentin, që shfaqi interes për mua. Edhe drejtuesit e Kievos interesoheshin për paraqitjet e ekipit tim të ri.

– Skënderbeu shpenzoi shumë për ju, jeni gati ta “flisni” me gola në fushë?

– E rëndësishme është që isha i lumtur që në fillim për të ardhur këtu. Kjo është kryesorja. Jam profesionist dhe do të bëj maksimumin, që ta ndihmoj ekipin të ecë përpara. Dua të bëj paraqitje sa më të mira me këtë fanellë.

– Kam ardhur këtu për të bërë lojën time, atë që dua më shumë. Bëj lojën time dhe stimulohem nga vetja. Më pëlqen të luaj dhe të jap më të mirën. Për njerëzit apo tifozët është një bast, për mua është një sfidë, sfidë që dua ta fitoj. Salihin nuk e njoh.

– Jeni i martuar? – Ende jo.

– Atëherë keni mundësi të gjeni edhe nuse në Shqipëri? – (Qesh) Ndoshta kjo është diçka dytësore, pasi për momentin mendoj vetëm të luaj dhe të shënoj. Mbase golat më ndihmojnë edhe për këtë objektiv. Eshtë një qytet i bukur Korça dhe më ka pëlqyer menjëherë sapo e kam parë sot (dje). Ishte zgjedhja e duhur për mua dhe dua të mendoj vetëm për futbollin, pasi ai më ka sjellë këtu.

Skeda

Emri: Ali Soue

Datëlindja: 14 qershor 1994

Vendlindja: Banjul, Gambia

Pozicioni: Sulmues

Gjatësia: 1.91 m

Karriera: Kievo, Juve Stabia, Peskara, Latina, Modena, Leçe, Prato, Viboneze

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image