Soue apo Xhejms, dilema e vetme e formacionit

Pavarësisht se trajneri Daja nuk jep detaje që tani, mësohet se ai ka ende dyshime për majën e sulmit. Ka balotazh mes dy afrikanëve

Nga sot trajneri Ilir Daja do të mendojë për formacionin, që do të zbresë në fushë ndaj Dinamos së Zagrebit. Këtë do ta bëjë në fushën e stërvitjes, por me dyer të mbyllura, siç është bërë e ditur ditë më parë, sepse në Korçë mund të vijnë spiunë nga Kroacia. Megjithatë, duhet thënë se ka vetëm një dilemë përpara ndeshjes së parë, që luhet të enjten. Mund të kishte dyshime të tjera, nëse Taku nuk do të ishte larguar, por tashmë gjithçka është e qartë për krahun e djathtë. Në majë të sulmit të gjithë presin të shikojnë futbollistin e ardhur pak ditë më parë te Skënderbeu, Ali Soue, të cilin trajneri po e ndjek me vëmendje. Në formacion më parë ka luajtur Xhejms, madje në disa momente në ndeshjen e fundit luajti edhe Nimaga. Për momentin, dilema e vetme është ajo mes Soue dhe Xhejms. Nigeriani mund të ishte i favorizuar, por, pavarësisht se i është kthyer stërvitjes normale, nuk e lënë muskujt e barkut të jetë 100% gati dhe fjala e fundit do të thuhet para ndeshjes të së enjtes. Nëse Xhejms nuk ia del, Ali Soue ka shanse ta nisë titullar, pasi vjen nga një kampionat i fortë si ai italian. Ai është shtatlartë dhe ndoshta është futbollisti tipik që kërkonte trajneri Daja. Kjo enigmë do të zgjidhet ditët në vazhdim, por që sot Daja do ta shikojë këtë lëvizje në fushë.

FORMACIONI – Repartet e tjera nuk kanë asnjë problem, pasi janë thuajse të njëjtët emra, që kanë luajtur rregullisht në ndeshjet europiane. Ata janë duke kaluar një formë të mirë dhe trajneri Daja pritet që ndaj Dinamos së Zagrebit në transfertë të rreshtojë një skuadër më të ngjeshur në mesfushë, për të tentuar me kundërsulm të rrezikojë. Në portë nuk ka dyshime që do të jetë Shehi, ashtu si dhe katërshja e mbrojtjes, që është e njëjtë me Vangjelin, Micin, Radasin dhe Jashanicën. Përpara tyre i sigurt është Osmani. Lilaj dhe Nimaga luajnë në qendër të mesfushës, kurse në krahët e saj Latifi dhe Gavazaj. Nëse do të kemi ndonjë lëvizje, do të jetë Gavazaj, që përballon rreth 60 minuta, por mendohet se do ta nisë titullar. Në sulm do të zgjidhet njëri mes  Ali Soue dhe Xhejms Adeni. Janë edhe tre stërvitje taktike, pas së cilave stafi do të marrë vendimin.          

Formacioni i mundshëm i Skënderbeut: Shehi: Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici, Osmani, Gavazaj, Lilaj, Nimaga, Latifi, Soue (Xhejms)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *