Sot shorti i turit të tretë, Kukësi mund të “peshkojë” Sadikun ose Agollin

Verilindorët do të synojnë kualifikimin në ndeshjen e kthimit por mendojnë dhe për më larg… me shpresën që shorti të tregohet bujar

Jurgen Zela

Në Nion të Zvicrës sot do të mësojmë dhe përplasjet e mundshme në turin e tretë të Champions League. Humbja minimale dhe loja mjaft pozitive në ndeshjen e parë bëjnë që besimi te Kukësi për ta përmbysur humbjen e së martës të jetë i madh. Sot një sy do të jetë te shorti i turit të tretë. UEFA e aplikon këtë format që skuadrat të jenë të njohura me kundërshtarët e tyre menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve të kthimit. Kukësi synon grupet e Europa League-s dhe formati mundëson që edhe nëse eliminohesh në turin e tretë të “Champions”it, merr një biletë për në “play-off” të Europa League. Kalimi i turit të tretë në Champions do të bënte që presidenti Gjici t’i gëzohej objektivit të arritur, ndaj edhe ka interes për shortin i sotëm. Në Kukës do të shpresojnë për një short sa më të lehtë, edhe pse fillimisht kanë një malore jo të lehtë përpara për të kaluar.

KUNDËRSHTARËT
Nëse në turin e dytë në Kukës ju gëzuan faktit se nga kundërshtarët e mundshëm u shortuan me një skuadër që konsiderohej më e kalueshme së të tjerat, tashmë shkalla e vështirësisë rritet ndjeshëm. Në këtë raund, të vetmit që e nisin aventurën direkt janë gjigantët grek të Olimpiakosit. Natyrisht, rreziku më i madh konsiderohen kampionët e Greqisë, të cilët tashmë drejtohen nga tekniku Besnik Hasi. Sëlltiku renditet i dyti për nga shkalla e vështirësisë, duke llogaritur që do e kalojnë Linfilldin. Austriakët e Red Bull Salzburgut, danezët e Kopenhagenit, polakët e Varshavës, ku tani do të luaj dhe Armando Sadiku, apo dhe Karabagu i kapitenit kuqezi i Ansi Agollit kanë hipotekuar një biletë për në raundin tjetër dhe janë kandidatë të mundshëm që të përplasen me fituesen e çiftit Sherif-Kukësi. Në listën e dëshirave për një kundërshtarë që në letër do të ishte i kalueshme, bën pjesë fituesja e çiftit Zalgiris Vilnius–Ludogorets, apo BATE Borisov–Alashkert. Çështja e kualifikimit mbetet e hapur në këto përballje. Megjithatë shkalla e vështirësisë duket më e vogël krahasuar me emrat e mëparshëm. APOEL–Dudelange dhe Zrinjski Mostar–Maribor janë dy çiftet e fundit të cilat në bazë të koeficientit, por dhe performacës në ndeshjet e para, asnjëra nga skuadrat nuk është treguar e pakalueshme.
Kukësi do të shpresojë tek shorti i favorshëm, por si fillim duhet të përmbysin rezultatin 0-1, për të cilin do të duhet shumë punë dhe djersë.

Kundërshtarët e mundshëm të çiftit Kukësi-Sherif Tiraspol në turin e tretë

Skuadra/Çifti                           Ndeshja e parë
1- Olimpiakos
2- Linfild – Sëlltik
3- Hibernians – RB Salzburg      0–3
4- Zilina – Kopenhagen                1–3
5- Zalgiris – Ludogorets             2–1
6- BATE Borisov – Alashkert      1–1
7- IF – Legia Varshavë                  0–3
8- Karabag – Samtredia              5-0
9- APOEL – Dudelange              1–0
10-Zrinjski Mostar – Maribor     1–2

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *