Sot në “Camp Nou”, Olainka e ka peng: Më kërkonin te Shqipëria, problem edhe ngjyra e lëkurës

Peter Olainka është padyshim një nga produktet më të mira të dala nga kampionati shqiptar. Mjafton këtu të përmendim vetëm faktin se sot do të luajë në “Camp Nou”, për të kuptuar se deri ku ka mbërritur ky futbollist.

Madje disa javë më parë do të arrinte të shënonte edhe ndaj Interit në transfertë, duke fituar jehonën e madhe. Një histori dashurie e ka lidhur gjithmonë me Shqipërinë, megjithëse hasi vështirësi pasi te Kombëtarja kërkohen vetëm futbollistët që kanë rrënjë prej këtej.

Ndërkohë një rrëfim për “Eagles Tracker”, Olainka shprehet se problemi që e largoi nga kuqezinjtë ishte edhe pjesa e mentalitetit të vështirë që ka në vendin tonë, sa i përket edhe ngjyrës së tij të lëkurës.

Aktualisht luan me Nigerinë, por Olainka nuk e harron pjesën e Shqipërisë: “Bëra një sezon të mirë në Shqipëri. Më kërkonin edhe në ekipin e tyre Kombëtar, kishte diskutime të tilla. Por në Shqipëri është pak e vështirë sepse nuk është mentaliteti si vendet e Europës qendrore apo të Europës perëndimore. Dua të them se atje ishte pak problem pjesa e ngjyrës sime të lëkurës, pasi janë të gjithë të bardhë”, ka thënë Olainka. /Sport Ekspres/