Sot mund të “firmoset” rënia nga Bundesliga dhe përballë Dortmundit, trajneri i Paderborn: Një gjë kam të sigurt, Gjasula nuk luan

Nga Klaudio Ndreca

Paderborn ka një ndeshje të rëndësisë së lartë në orën 18:00 të ditës së sotme, teksa do të përballet ndaj Dortmundit. Ndaj ekipit më në formë të momentit në Gjermani, së bashku me Bajernin e Mynihut, është një mision i pamundur për të dalë me pikë.

Por në këtë rast duhet të ketë me patjetër vend për përjashtim, pasi Paderborni është i dënuar për të fituar. Aktualisht ekipi ku luan edhe Klaus Gjasula renditet në vendin e fundit me 6 pikë më pak se Werder Bremen dhe 8 pikë larg vendit që të jep mundësinë për të luajtur “Play-Offin” për mbijetesën.

Llogaritë janë të thjeshta dhe nëse në shtëpi do të kemi një tjetër humbje ndaj Dortmundit, me 5 ndeshjet e mbetura deri nga fundi i Bundesligës, mbijetesa do të ishte vetëm një iluzion matematik. Ndërkohë që me një fitore të marrë do të kishim jo vetëm shkurtim të diferencës së pikëve, por edhe një ngritje të aspektit psikologjik.

Klaus Gjasula do të mungojë për këtë përballje, për shkakun e kartonëve të verdhë që ka marrë duke vendosur një rekord të ri në Bundesligë për ndëshkimet. Trajneri Baumgart ka shumë dyshime për futbollistët që do të hedh në fushën e lojës teksa ka thënë: “Formacionin ende nuk e kam vendosur, por një gjë e kam të sigurt. Gjasula nuk do të luajë për shkakun e kartonëve të verdhë. Ne jemi ende aty dhe këtë gjë duhet ta tregojmë ndaj Dortmundit, pavarësisht se nuk kemi lëvizur nga renditja. Duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm pasi ekipi kundërshtar mund të shënojë nga çdo lloj situate”, ka thënë Baumgart. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *