Sot miqësorja turke, sytë te dy debutues

Miqësorja e sotme kundër Turqisë i ka prozhektorët mbi të gjitha te dy lojtarë. Astrit Ajdareviç dhe Kamer Qaka. Të dy janë mesfushorë dhe që të dy kanë luajtur me skuadrat e moshave të shteteve të tjera. Ajdareviç ka luajtur me Suedinë, madje deri në nivelin e Olimpiadës, duke qenë dhe kapiten i kësaj skuadre. Për momentin luan te AEK të Greqisë dhe është mesfushor me tipare sulmuese. i dyti është Kamer Qaka. Për momentin luan me Poli Iashin dhe është mesfushor me tipare mbrojtëse. Ai në të shkuarën ka luajtur me Under-17 dhe Under-19 të Norvegjisë.

Që të dy janë “zbulime” të stafit teknik të përfaqësueses, të cilët prej kohësh po i ndjekin dhe i bindën që të vishnin fanellën kuqezi. Në fakt, rekrutimi i tyre është proces, sepse prej vitesh kombëtarja afron futbollistë që më parë kanë luajtur me skuadrat Under të vendeve të tjera. Një pjesë e mirë e atyre që luajnë sot në Kombëtare kanë ardhur në ekip pikërisht nga kjo formulë. Më së shumti ata kanë luajtur për Zvicrën, ndërkohë që Mavraj për shembull ka luajtur me skuadrën Under-21 të Gjermanisë. Duke qenë se nuk arritën dot të bëheshin pjesë e skuadrave të mëdha të këtyre vendeve, ata preferuan më pas të luanin me Shqipërinë, pasi dhe dokumentacioni ia lejonte një gjë të tillë.

Me siguri Panuçi sot do t’u ofrojë një mundësi të dyve, ose nga fillimi, ose nga stoli, për të parë nëse realisht mund të jenë pjesë e kombëtares në të ardhmen. Po, është edhe Ylber Ramadani, por ai nuk mund të quhet debutues absolut, sepse ka fituar shumë eksperiencë te Shpresat dhe është lojtar i së ardhmes në kombëtaren e madhe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *