Sot luhet finalja e traditës, ja si vijnë skuadrat

0

Terrorizmi, huliganët, siguria, frika, evropiani i “Francë 2016” i ka kaluar të gjitha sprovat. Diku me sukses të plotë, diku me më pak, por pas një muaji “Euro 2016” ka mbërritur në pikën fundore, që njëherazi është dhe pika kulmore e tij, finalja e madhe. Në Paris, Franca, vendi organizator dhe Portugalia e Kristiano Ronaldos do të ndajnë mes tyre trofeun e 15-të evropian në nivel ekipesh kombëtare. Nuk janë të shumtë ata që kishin parashikuar një finale të tillë, duke pasur gjatë rrugës gjigantë të futbollit evropian e botëror, si Gjermania, Spanja, Italia e deri te Anglia. Por Franca dhe Portugalia ia dolën të kalonin çdo pengesë dhe sonte në mbrëmje do të përplasin “brirët” për të përcaktuar ekipin kampion të Evropës. Nga njëra anë Franca, të zotët e shtëpisë në kërkim të titullit të tretë në okën e tyre pas evropianit të vitit 1984 dhe botërorit 1998. Nga ana tjetër është Portugalia në kërkim të titullit të parë, në kërkim të revanshit për trofeun e humbur në shtëpinë e vet 12 vite të shkuara. Praktikisht do të jetë Kristiano Ronaldo kundër të gjithë Francës. Të gjithë janë të përgatitur për këtë.

Franca për të ruajtur traditën – Franca mbetet pa diskutim një nga ato pak ekipe kombëtare në botë që arrin të shfrytëzojë maksimalisht faktorin fushë. Këtë do të kërkojë të bëjë dhe në finalen e saj të tretë në një kompeticion të rëndësishëm që zhvillohet në tokën e vet. Deri më sot “Gjelat” kanë ruajtur statusin e favoritit në shtëpi, duke kaluar dhe një provë shumë të ëvshtirë në gjysmëfinale ku eliminuan Gjermaninë kampione e botës në fuqi. Kjo i kthen “Gjelat” në favoritë absolutë në finalen e madhe kundër Portugalisë. Një finale ku ekipi i drejtuar nga Deshamp do të kërkojë të ruajë traditën e sukseseve sa herë që një veprimtari madhore është zhvilluar në fushën e vet. Franca fitonte për herë të parë evropianin në vitin 1984 kur ku kampionat zhvillohej në Francë. Në finalen e Parisit, “Gjelat” triumfonin përballë Spanjës 2-0. 15 vjet më vonë, Franca do të merrte përsipër organizimin e kampionatit botëror. Organizimi i botërorit u pasua me titullin e parë kampion bote për Francën që në finale triumfonte pastër 3-0 kundër Brazilit. 18 vjet më pas Franca i gëzohet organizimit të një kampionati evropian dhe përsëri në finale. Sonte në mbrëmje përballë do të jetë Portugalia e Ronaldos. Koha për titullin e tretë në Francë?

Portugalia për historinë – Në historinë e saj ka nxjerrë yje botërorë, ka ndërtuar ekipe model, por kurrë nuk ka arritur të fitojë diçka të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Portugalia do të kërkojë të prishë syrin e keq kundër Francës, në zemër të saj në Paris. Ndonëse shifrat flasin të gjitha për të zotët e shtëpisë – Portugalia nuk i mund që nga viti 1975 – në Portugali besojnë se ka ardhur momenti i së vërtetës së madhe. Finalja e parë e evropianit e humbur në shtëpinë e  saj përballë Greqisë 12 vjet më parë djeg ende. Koha shëron çdo plagë, por nuk ndodh kështu me Portugalinë që vazhdon të persekutohet nga një hije që e ndjek nga pas. Ndaj sonte në mbrëmje Kristiano Ronaldo me Portugalinë nga pas dhe Francën kundër do të kërkojë t’i japë luzitanëve titullin e parë të rëndësishëm në historinë e këtij vendi. E gjithë Portugalia pret prej tij një dhuratë të madhe. Historia është një hap larg, i takon Ronaldos të vërë firmën e tij.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here