Sot inaugurohet fusha e re, një super impiant në Korçë

Qeveria dhe bashkia e qytetit kanë bërë një “dhuratë” të madhe për Skënderbeun. Në orën 18:30 zhvillohet stërvitja e parë në këtë terren

Leonard Trebicka

Prag-Kairati duket i mbarë për Skënderbeun, që synon të eliminojë skuadrën e madhe kazake. Dje janë mbyllur stërvitjet në stadiumin “Skënderbeu”, sepse fusha e tij duhet të jetë së pari në gjendje optimale ditën e enjte, ndërkohë që reshjet e shiut kanë qenë të shumta dje. Trajneri Daja dhe stafi i tij mund të ishin në vështirësi për stërvitjen, por tashmë gjithçka është zgjidhur.

Sot do të inaugurohet fusha e re, ku do të stërviten korçarët në vazhdim. Në krah të stadiumit të Korçës po vazhdojnë me ritëm të kënaqshëm punimet për fshatin olimpik, por fusha, ku do të stërvitet Skënderbeu, është gati. Një fushë me përmasat e duhura dhe, ç’është më e rëndësishme, me bar natyral, ashtu siç i duhej stafit teknik në këtë moment. Pranë kësaj fushe po ndërtohet edhe një pallat sporti i mbyllur, ndërkohë që pritet të ketë edhe fusha të tjera futbolli.

Një investim gjigant, që sjell terrene të shkëlqyera sportive. Kjo fushë e re ndodhet disa metra larg aneksit të stadiumit, ndërkohë që po ngihen edhe shkallët, ku mendohet të jenë 2500 vende të ulura. Në këtë terren do të zhvillojë ndeshjet zyrtare Skënderbeu, kur të prishet stadiumi për t’u ndërtuar nga e para. Prandaj punimet janë kryer në mënyrën më të mirë, brenda të gjitha standardeve. Së shpejti do të vendoset edhe ndriçimi. Një terren të tillë, me bar natyral, mezi e prisnin te Skënderbeut dhe inaugurimi do të bëhet pikërisht sot.

STËRVITJA – “Duke parë që nuk mund të futemi më në stadium, do futemi te fusha e re dhe kjo më gëzon, pasi ka bar natyral dhe nuk do ka asnjë ndryshim. Nesër (sot) do të zhvillojmë seancën e parë në këtë fushë”, – ka sqaruar dje trajneri Ilir Daja. Kështu, sot, në orën 18:30, skuadra korçare do të stërvitet në të njëjtën fushë, në mënyrë që të enjten të mos ketë probleme. Këtë fushë e ka vizituar shpesh edhe presidenti Ardjan Takaj, së bashku me drejtuesit e tjerë. Eshtë një investim, që në të ardhmen do t’i shërbejë shumë ekipit të parë. Vetëm të mërkurë ekipi do të zbarkojë sërish në stadium për të zhvilluar stërvitjen e fundit, siç është edhe rregulli i UEFA-s.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *