Sormani analizon fazën përgatitore: Dua një skuadër agresive të pafrikësuar, kohë dhe punë me të rinjtë

Partizani ka mbyllur fazën përgatitore të zhvilluar në Antalia. Të kuqtë humbën në dy miqësoret e luajtura, megjithëse qëllimi kryesor nuk ishte rezultati por testimi i lojtarëve në fushën e lojës. Trajneri i kryeqytetasve, Sormani, ka folur për faqen e klubit, ku ka treguar edhe përshtypjet e marra nga kjo fazë përgatitore si dhe pritshmëritë e tij nga Partizani në ndeshjet e radhës në Superiore./Sport Ekspres/

Prononcimi i plotë i Sormanit:

Kjo fazë përgatitore ishte një mundësi shumë e mirë për mua për të njohur të gjithë lojtarët. Edhe pse shumë prej tyre i njoh, përgatitjet këtu më kanë dhënë një dorë të mirë për t’u familjarizuar edhe më shumë me grupin. Gjatë gjithë fazës kam shfrytëzuar çdo orë dhe çdo moment për të folur me lojtarët dhe për t’i njohur më mirë. Kanë qenë ditë shumë intensive, pasi kemi punuar shumë. Gjithashtu në aspektin fizik duhet të përmirësohemi ende shumë për të plotësuar pritshmëritë që unë kam për këtë skuadër dhe për të aplikuar idenë që unë kam për futbollin. Vullneti dhe sjellja e skuadrës ka qenë shumë pozitive. Të gjithë kanë bashkëpunuar dhe kjo është shumë e rëndësishme.

Nëse mendon se pas 8 ditëve lojtarët i kanë asimiluar idetë që ke për futbollin, atëherë duhet të jesh i çmendur. Unë në këtë aspekt jam shumë i ekuilibruar, por gjatë ndeshjeve miqësore kam vënë re dëshirën e skuadrës për të aplikuar në fushë atë që djemve u kam kërkuar në stërvitje. Sipas meje ky është një detaj shumë i rëndësishëm pasi nëse nuk je i uritur dhe me dëshirë për të bërë gjërat, atëherë nuk mund të realizosh asnjë objektiv që ke vendosur.

Ndeshjet miqësore…

Kam evidentuar cilësi tek disa të rinj që kanë potencial për të shkuar më larg. Por duhet të punojmë shumë me ta, t’u kushtojme kohë dhe t’i mësojmë për t’u dhënë mundësinë të përmirësohen. Ata duhet të jenë të bindur që besojmë tek ata dhe janë e ardhmja e klubit të Partizanit. Nga ana tjetër kam vënë re edhe dëshirën e të ashtuquajturve senatorë për të bashkëpunuar dhe për të mbështetur më të rinjtë dhe për të injektuar tek ata mentalitetin e të qënit konkurrues në mënyrë që Partizani të jetë gjithashtu një skuadër më konkurruese.

Viti 2020 për Partizanin nis me trasfertën në Korçë.

Në ndeshjen e parë të vitit 2020 në transfertën me Skënderbeun do të punoj për të hedhur në fushë një skuadër që aplikon sa më shumë idetë e mia. Dua të shikoj në fushë një skuadër agresive, të vendosur për të aplikuar futbollin që ka në kokë dhe nuk ka frikë nga asgjë. Asnjë ndeshje nuk është e lehtë. Askush nuk është më i mirë apo më i keq se ty përpara ndeshjes. E theksoj, pres të shikoj në fushë një skuadër me kurajo, një skuadër të uritur për të marrë rezultat.

Riktheheni në stolin e Partizanit pas rreth 3 vitesh.

Emocionet në futboll janë përherë aty sepse është një punë që unë e bëj me pasion dhe e dua. Më pëlqen të trajnoj edhe pse më kushton shumë lodhje. Nuk mendoj se do të bëja dot pa futbollin në jetën time dhe në këtë aspekt, çdo herë e parë është e veçantë edhe pse unë kam qenë edhe më parë pjesë e skuadrës. Përballë meje qëndron përherë sfida për të fituar diçka të rëndësishme prandaj gjithë ekuilibrin, vendosmërinë dhe zemërimin që ke brenda duhet të jesh në gjendje t’ua transmetosh lojtarëve.