Sopoti si Feniksi, tani përgatitet për betejën finale

0

Sopoti ia ka dalë mbanë, ndoshta as vetë nuk e besonte, duke parë 1000 hallet e këtij sezoni të mbrapshtë dhe vështirësitë e hasura edhe para ndeshjes finale për mbijetesë kundër Elbasanit. Përballë ishte një emër i madh i futbollit shqiptar, Elbasanit i duhej vetëm një pikë, ndeshja u postua për të hënën dhe arbitri ishte “non grata”. Të gjitha këto detyruan administratorin Andi Matraxhiu të jepte dorëheqjen pak orë para finales, por ndoshta ka qenë edhe një taktikë e zgjedhur prej tij, për të vënë në gjumë kundërshtarët.

Sopoti ia arriti të merrte një fitore të madhe 2-0 në “Selman Stërmasi”, duke zhytur në “llum” Elbasanin dhe duke shkuar tashmë te finalja tjetër për mbijetesë, kundër Vllaznisë B, skuadër e renditur e dyta në grupin A në Kategorinë e Dytë.

Një ndeshje tjetër tepër e vështirë, sepse Vllaznia B vjen nga një sezon i shkëlqyer dhe në përbërje mund të jetë edhe shumë lojtarë nga ekipi i parë.

Megjithatë, Sopoti beson dhe me një postim në Facebook përshëndet edhe rivalët që u munduan ta rrëzonin këtë vit: “Na “vjen keq” qe dje veç arbitrave, u zhgënjyen të gjithë ata që na kanë luftuar këtë sezon, që nga Turbina dhe deri tek Dinamo, aleatë të rivalit tone.

Ne do të vazhdojmë të jemi të bashkuar dhe askush s’mund të na ndalë, as gjyqtari i djeshëm Çekaj që beri masakrën e radhës me skuadrën tone, por ia dolëm falë Zotit dhe përkrahjes se tifozëve qe na dhanë shume zemër. Gjithsesi, tani arkivojmë gjithçka dhe mendja është e fokusuar tek “play-out” ndaj Vllaznisë B”.

Meritë të madhe ka edhe trajneri Bekim Kuli, i cili nuk ka dalë shumë në skenë që kur ka marrë drejtimin, por me qetësi ka mbajtur të bashkuar një skuadër që po jep shumë, duke shpërfilluar hallet.

“Jemi munduar të bëjmë gjithçka në këtë skuadër, madje kemi pasur dhe shumë probleme, si të ndeshjeve që janë luajtur të gjitha jashtë fushës sonë. Na është dhënë data e ndeshjes vetëm një ditë përpara, por ne sërish ia dolëm. Ishim të bashkuar dhe luajtëm me shpirt e zemër. Skuadra i zbatoi më së miri detyrat e veta dhe të gjithë lojtarët pa përjashtim dhanë maksimumin dhe i falënderoj për lojën e bukur që dhuruan sot pavarësisht një gjykimi skandaloz”, u shpreh Kuli pas ndeshjes, por ashtu si në kohën kur ishte futbollist, tashmë duhet të bëjë edhe një “driblim” të fundit, kundër Vllaznisë B.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here