Sondazhi i tifozëve të Realit, zbulohen dëshirat e merkatos

Të gjithë janë shumë kuriozë për merkaton që do të bëjë Reali i Madridit këtë verë. Ky sezon ishte ndër më të dobëtit e viteve të fundit. Shkaqet janë të ndryshme, duke nisur që nga largimi i Ronaldos e Zidanit, deri te merkato e varfër.

Në ekip erdhën vetëm portieri Kurtua nga Çelsi, mbrojtësi Odriozola nga Sociedadi, Vinisius Zhunior nga Flamengo dhe rikthimi i Mariano Diaz nga Lioni. Zidan vendosi të rikthehet në stol dhe kjo u cilësua si një nga gëzimet më të mëdha të sezonit.

Spanjollja “Marca” ka hapur një sondazh për tifozët e Realit të Madridit. Ata janë pyetur për lojtarët që do të donin të shihnin duke luajtur me ekipin e tyre të zemrës. Rreth 200 mijë persona i janë përgjigjur sondazhit.

Në sulm zgjedhja është pothuajse unanime. Kilian Mbape është ëndrra e madhe dhe ai ka siguruar rreth 79% të votave, duke lënë pas emra si Eden Hazard dhe Herri Kejn, të cilët nuk arrijnë as kuotën 10%.

Megjithatë, belgu i “Bluve të Londrës” është zgjedhur i preferuari për rolin e “playmaker”-it, duke fituar garën me Kristian Eriksenin e Totenhemit. Matijs De Ligt i Ajaksit është dëshira e madhe për mbrojtjen, ndërsa Pol Pogba mbetet i preferuari për mesin e fushës.

Në fund, Markos Alonso për krahun e majtë të mbrojtjes. 28-vjeçari është preferuar më shumë nga tifozët e “Los Blancos” në krahasim me David Alabën e Bajernit të Mynihut. Presidenti Perez i ka premtuar trajnerit francez blerje cilësore dhe tifozët e gjigantit spanjoll po presin me padurim fundin e sezonit dhe nisjen e merkatos.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *