Solli edhe Gjimshitin te kuqezinjtë, menaxheri i Bastien Tomës: Nuk ia mbyllëm derën Shqipërisë

Rasti i Florian Kamberit dhe afrimi te Shqipëria ka krijuar më tepër mundësi që lojtarët tanë nga të gjitha trevat të vazhdojnë e ta shohin Kombëtaren si zgjedhjen ideale. Kjo pasi në të mund të përfaqësohet gjithë kombi.

Një frymë pozitive solli nga sulmuesi i Hibernianit dhe që luan në nivele të larta. Ndërkohë menaxheri i Bastien Tomës, Michel Urscheler, i ka lënë derën hapur kuqezinjëve edhe për mesfushorin e Sionit. Megjithëse vetë lojtari e ka treguar hapur dashurinë për Zvicrën, gjithçka mund të bëhet e mundur.

Madje edhe Gjimshiti do të vinte te Shqipëria në kohën kur ishte Urscheler si menaxher i tij. Këtë e ka pranuar edhe vetë agjenti i Bastien Tomës në intervistën për “Fansat e futbollit shqipëtar”, për lojtarin që sidomos në sezonin e kaluar me dy pasimet e magjishme të dhëna brenda pak kohësh që nxirrnin bllof gjithë mbrojtjen kundërshtare, ka bërë jehonë në gjithë Europën.

“Unë e njoh mirë Shqipërinë dhe njerezit e Federatës atje, e di dhe faktin që po grumbullojnë më shumë lojtarë të rinj në Lombëtaren A. Ky projekt ka disa vite që po ndodh, unë jam në dijeni sepse kam qenë unë menaxheri i Berat Gjimshitit në kohën kur ai zgjodhi t’i bashkohej Shqipërisë. Toma, Shqipërisë nuk ia ka mbyllur derën po ashtu edhe Kosovës që është një Kombëtare e re e cila po bën mirë. Unë e njoh mjaft mirë dhe situatën atje sepse kam në menaxhim futbollistin Benjamin Kololli.

Toma momentalisht ndihet i respektuar te U21 i Zvicrës pastaj se kë Kombëtare do zgjedhi në të ardhmen ai vendim i takon atij, ai është ende i ri kështu që i duhet ende kohë për të marë një vendim përfundimtar”, ka thënë menaxheri i Tomës. /Sport Ekspres/