Sokol Kushta: Ky Partizan, si ekip kalamajsh

Ishte në stadium, natyrisht, për të parë një ndeshje që për të ishte mjaft e veçantë. Sokol Kushta eliminonte 30 vite më parë Partizanin e Beogradit, kur luante me Flamurtarin e tij në Europë, ndërsa këtë radhë bëri tifozllëk për Skënderbeun. Pas ndeshjes, për “Sport Ekspres”, ish-sulmuesi legjendar foli për ndeshjen që pa nga shkallët e Elbasan Arenës, duke mos e fshehur pak zhgënjim për mungesën e fitores, pavarësisht se barazimin e priste. Nga ana tjetër, Kushta do të kishte dëshiruar një stadium të mbushur plot, si në kohërat e arta, pasi në ndeshje të tilla edhe atmosfera ndikon shumë.

“E kisha parashikuar një barazim të kësaj ndeshje. Skënderbeu ka një ekip mjaft të mirë. Loja ishte e pëlqyeshme. Partizani i Beogradit, krahasuar me atë që ka pasur kundërshtar në kupat e Evropës Flamurtari im, m’u duk si ekip të rinjsh. Ky Partizan është shumë larg nivelit të atij ekipi. Që Skënderbeu të kishte fituar, duhej të kishte bërë lojë më agresive. Gjithsesi, barazimi është rezultat pozitiv për korçarët. Ekipi ynë është në rrugë të mbarë dhe i uroj sa më shumë suksese. Më erdhi keq që stadiumi nuk ishte tejmbushur, pasi ashtu do të duhej për ta vënë nën presion kundërshtarin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *