Smajli: S’është turp të eliminohemi nga vlonjatët

0

Besëlidhja do të udhëtojë sot drejt Vlorës, për të qenë të mërkurën e gatshme për t’u ndeshur me Flamurtarin në takimin e parë çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Lezhjanët vijnë në çerekfinale, pas eliminimit të Erzenit në turin e parë dhe më pas të një emri të madh të futbollit tonë, Partizanit. Besëlidhja fitoi në Lezhë 1-0 me të kuqtë dhe barazoi në “Elbasan Arena”, duke nxjerrë jashtë lojë një nga pretendentët kryesorë.

SMAJLI – Ka folur dje kapiteni Dritan Smajli, i cili u shpreh në lidhje me ndeshjen ndaj Flamurtarit, objektivin sezonal dhe gjendjen e skuadrës: “Gjysmën e dytë të sezonit në vijim do ta nisim të mërkurën në Vlorë, në një ndeshje Kupe me Flamurtarin. Jam mjaft i lumtur, që Besëlidhja arriti të kualifikohet deri në çerekfinale, duke lënë jashtë Partizanin pretendent, çka kjo tregon se skuadra është serioze në objektivat e saj. Përballja me Flamurtarin do të jetë e vështirë nga të gjitha pikëpamjet, pasi jemi skuadra me objektiva të ndryshëm, me buxhete të ndryshme financiare. Vlonjatët kanë një mega-buxhet krahasuar me ne. Do të shkojmë në Vlorë për të luajtur futboll dhe e dimë se do të përballemi me një skuadër, që ka emër dhe histori të pasur kombëtare. Eliminimi ynë nga kompeticioni i Kupës nga një skuadër me begraund të tillë nuk është turp. E njoh shumë mirë këtë skuadër, pasi për 10 sezone radhazi jam ndeshur me të, me skuadrat ku kam luajtur. E përsëris se jam mjaft i lumtur, që më jepet rasti të ndeshem me një emër dhe kualitet si Flamurtari. E kam thënë gjithmonë se objektiv kemi ngjitjen në Superiore, pasi aty bëhen të gjitha llogaritë, në të kundërt, edhe sikur të jemi ne fituesit e Kupës, nuk do të kishte vlerë. Nuk mundet, që një skuadër e kategorive inferiore në Shqipëri të përballet denjësisht në Europa Ligë,”, – e ka mbyllur prononcimin e tij kapiteni i Besëlidhjes, Dritan Smajli.

Bernard Gjikolaj

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here