Smajli: Ngjitja në Superiore, më mirë se fitimi i kupës

0

Bernard Gjikolaj

Besëlidhja të hënën pasdite udhëton drejt Kukësit për të vijuar stërvitjen, për llogari të gjysëmfinales së kupës. Duke mos u liçensuar stadiumi “Besëlidhja” për t’u luajtur gjysmëfinalja, kjo sfidë do të luhet në Kukës.

Pak para nisjes për në Kukës, kapiteni Dritan Smajli dha një deklaratë për mediat, ku ndër të tjera theksoi: “Normalisht që për ne është një luks i madh të ndeshesh me Tiranën në një kompeticion të tillë, në një fazë siç është gjysmëfinalja e Kupës së Shqipërisë. Ne nisemi për në Kukës për t’u ndeshur me Tiranën me pretendimet tona, ashtu siç i ka edhe Tirana, ku ajo shpreson vetëm në këtë kompeticion, pasi vetëm ky i ka mbetur, duke parë se në kampionat vetëm sa lufton për mbijetesë.

“Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e luftuar, për rrjedhojë do të prodhojë shumë spektakël, ku padyshim Besëlidhja në kësi ndeshjesh është superiore, këtë tashmë e ka treguar në dy turet e kaluara që i kemi marr me sukses ndaj Partizanit dhe Flamurtarit. Duke parë rezultatet e fundit të kundërshtarit, normalisht që ana psikologjike e tyre nuk është e duhura, po ashtu duke parë peshën e fanellës së kësaj skuadre të madhe dhe gjendjen aktuale, normalisht që ne jemi më të lirshëm në lojë dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë pozitivisht. Ne duhet ta ndiejmë veten të barabartë, pavarësisht historisë, pasi edhe djemtë janë të përgatitur për këtë. Duke iu referuar kësaj, ne nuk jemi favoritë në këtë kompeticion dhe për më tepër në këtë përballje, por jam i bindur se ne do të japim më tepër se 100% për të realizuar një ëndërr të bukur që këti qyteti i mungon.

“Menjëherë pasi ne skualifikuam Partizanin, shtuam edhe objektivin e finales së kupës, por kjo nuk do të kishte kuptim edhe sikur të fitonim edhe kupën, pasi tashmë Besëlidhjes i ka ardhur koha që të jetë pjesë e elitës, për këtë i ka të gjitha kushtet. Unë e kam theksuar gati në të gjitha intervistat e mia se ardhja ime tek Besëlidhja ka qenë me synim ngjitjen në Superiore dhe besoj se do ta çojmë deri në fund”.

Ngjitja në Superiore është prioritet absolut: “Duhet që t’i japim fund endjes së Besëlidhjes në Kategorinë e Parë. Kampion i Kategorisë së Parë, apo fitues i kupës? Nomalisht që unë zgjedh të parën, megjithatë kur kemi ardhur deri në këtë pikë delikate, duhet që t’i kërkojmë të dyja, nuk duhet të falim askënd”, përfundoi deklaratën kapiteni i Besëlidhjes Dritan Smajli.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here