Smajlaj nuk ndalet, tjetër medalje ari

Gjergj Vyshka
Izmir Smajlaj është kampioni i vendeve të vogla në Kampionatin Evropian, që dje është zhvilluar në Shan të Lihteshtejnit. Përballë vendeve si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Andorra, Armenia, Azerbajxhani, Bosnje-Hercegovina, Qipro, Gjeorgjia, Gjibraltari, Islanda, Lihteshtejni, Luksemburgu, Moldavia, Maqedonia, Malta, Monako dhe San Marino, Smajlaj dhe Murataj, ky i fundit në 400 metra, kanë qenë krenaria e atletikës shqiptare.

Izmir Smajlaj e ka fiksuar vendin e parë në garën e Lihteshtejnit që në kërcimin e parë, teksa ka fluturuar 7.90 metra. Më pas dy faull, ndërsa në tre kërcimet e tjera ishte 7.72 metra, 7.70 metra dhe 7.88 metra. Pretendimet janë për 8.30 metra, ndërsa duhen pritur Lojërat Mesdhetare në Tarragona, apo dhe Kampionati Evropian i Berlinit më 7-12 gusht.

Deri më tani është Kampion Ballkani në salla të mbyllura me 7.80 metra, e po kështu në mitingu ndërkombëtar të Elbasanit 7.88 metra, apo në kampionatin kombëtar në fundin e majit, po në Elbasan, 7.87 metra. Pra kjo e djeshmja do të thotë rritje rezultati për të pretenduar dhe më shumë.

Ndërkohë krenari për Shqipërinë është dhe Edmond Murataj, që ka merituar medaljen e bronztë në 400 metra. Mirë duhet konsideruar dhe Marko Makaj në 800 metra dhe Ravio Rama në 110 metra me pengesa. E në 800 metra Nikolla është i shtati, kurse në kërcim së gjati, Hallunaj është i nënti me 6.90 metra, teksa e ka fiksuar këtë rezultat në kërcimin e tretë, ndërsa në dy të parët kishte bërë faull. Përgjithësisht një garë e mirë e atletëve shqiptarë, ndërsa Smajlaj është shpallur dhe sportisti më i mirë i aktivitetit.

Falënderimet e Izmir Smajlajt
Menjëherë pas përfundimit të garës, teksa është kampioni i shteteve të vogla në Evropë, Izmir Smajlaj nuk ka munguar të bëjë falënderime. “Kampion i Kampionatit të shteteve të vogla Evropiane. Një falënderim i veçantë për familjen time, trajnerin tim Gjergji Rulin dhe sponsorin tim gjeneral “AMA Caffe”. Kjo për gjithçka që kam arrirë dhe do të arrijë në vazhdimësi”, ka nënvizuar Smajlaj.

https://www.facebook.com/izmir.smajlaj2/videos/1035432683276504/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *