Smajlaj akuzon: Manipuluan rezultatin, më hoqën medalje

Vendi i dhjetë në Europianin e Atletikës “Berlin 2018” ishte larg objektivave të përcaktuar nga Izmir Smajlaj. Rekordmeni shqiptar i kërcimit së gjati synonte medalje në këtë eveniment.

Objektivi nuk u realizua dhe sipas 25-vjeçarit, shkaktarë janë organizatorët, të cilët i akuzon për manipulim të rezultatit. Në profilin e tij ne facebook, Smajlaj shkruante: “Më vjen keq që edhe në ‘Kampionatin Europian’ të zhvilluar në Berlin, të ketë manipulime në rezultat”.

Një akuzë, të cilën kampioni kuqezi i atletikës e shoqëronte me pamje filmike nga konkurrimi. “Mund të shikoni videon për të parë të vërtetën e kërcimit të 3-të, i cili u deklarua 7,47m, e më pas ma dhane 7,73m, duke mos qenë të vërteta asnjë prej tyre”, shprehej atleti.

Smajlaj shtoi: “Ky gabim tepër i rëndë dhe tepër i qartë për të gjithë, më dëmtoi imazhin tim si Kampion Europian në fuqi i sallave të mbyllura, si dhe më dëmtoi moralisht që të isha në zonën e medaljeve këtë vit”.

Shkodrani njoftoi se ai dhe Federata Shqiptare e Atletikës “e kanë denoncuar rastin në institucionet përkatëse, si Federata Ndërkombëtare e Atletikës, dhe gjatë kësaj kohe po bëhen verifikimet e duhura”.

Pavarësisht ngjarjes dhe akuzave, Smajlaj mbetet optimist, duke “shpresuar më të mirën”, ndërsa premtoi: “Në vazhdim do të ngjitem në podium në çdo kampionat për të nderuar Shqipërinë dhe shqiptarët!”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *