Skënderbeu zbavitet në kupë, Daja: Laçi e Lushnja, nuk na falen gabimet

Skënderbeu është i frikshëm edhe kur në fushë luajnë rezervat apo edhe lojtarët e marrë nga të rinjtë. Kundërshtari i djeshëm, Mamurrasi, natyrisht që është modest në raport me Skënderbeun dhe dje mund të kishte pësuar më shumë se 9 gola. Korçarët kanë toleruar shumë. Skënderbeu-Mamurrasi ishte ndeshja e fundit e turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Rezultati përfundimtar, 9-1, flet vetë, ndërkohë që në total janë 17 golat e shënuar në portën e Mamurrasit, që dje shënoi golin e nderit me 11-metërsh. Martin Nespor dhe Uerdi Mara shënuan nga dy gola, ndërkohë që golat e tjerë mbajnë firmën e Shkodrës, Gripshit, Lulajt, Liqerit dhe Takos. Duhej të luhej edhe ky takim dhe në turin tjetër Skënderbeu gjen Besëlidhjen.

NDESHJA – 90 minutat e djeshme në aneksin e stadiumit “Skënderbeu” kanë folur totalisht për Skënderbeun, që në formacion kishte 4 lojtarë të formacionit të të rinjve. Pjesa tjetër ishin lojtarë rezervë apo ata që në këto javë të para kanë qenë jashtë 18-shes. Vetëm në 11 minutat e para vendësit do të shënoni tre gola. Që në minutën e 4-t, Gripshi fiton një 11-metërsh, që kthehet në gol nga çeku Nespor, ndërkohë që tre minuta më vonë Kelmendi shërben në zonë për Shkodrën dhe shifrat shkojnë në 2-0. Për të tretin mendon Mara, kurse në minutën e 17-të Donjet Shkodra, i cili mban edhe shiritin e kapitenit, shërben për Nespor dhe 4-0. Në pjesën e parë shënohen edhe dy gola të tjerë nga Mara dhe Gripshi, kështu që skuadrat shkojnë në pushim me rezultatin 6-0. Në startin e së dytës trajneri Daja fut tre lojtarë të të rinjve në fushë. Korçarët luajnë më shumë në mesfushë, por Liqeri, Lulaj dhe Tako shënojnë edhe tre gola të tjerë për Skënderbeun. Miqtë fitojnë një 11-metërsh, pasi Stojani pengohet në zonën korçare dhe gjyqtari bën me shenjë nga pika e bardhë. Trungshi bën që miqtë të kthehen në shtëpi me golin e nderit, ndërkohë që dy minutat e shtesës do të sillnin edhe një traversë të Demtes. Përfundimisht, 9-1 në një 90-minutësh pa histori.

Trajneri Daja: Titulli nuk fitohet vetëm ndaj rivalëve

Trajneri i Skënderbeut ka folur për përgatitjet anti-Laçi, ndeshjen ndaj Partizanit të Beogradit, por edhe për Kombëtaren

Ilir Daja, numri 1 i stolit korçar, pas ndeshjes me Mamurrasin në kupë, që ishte më shumë një seancë stërvitore, ka folur për gjendjen e skuadrës së tij dhe përgatitjet për ndeshjen ndaj Laçit, duke theksuar se titulli kampion fitohet me fitore ndaj të ashtuquajtura “të vogla”, sepse nuk mjaftojnë vetëm fitoret me rivalët. “Ky pushim i Superligës erdhi në momentin e duhur për Skënderbeun, pas ngarkesës shumë të lartë që kishim me ndeshje në 3 kompeticione. Kthehemi pas dy ditëve të pushimit për t’u fokusuar vetëm te ndeshja e radhës ndaj Laçit mesjavën e ardhshme. Do të përqendrohemi 100% te kjo ndeshje, pasi titulli kampion nuk fitohet asnjëherë vetëm duke mundur rivalët, por duke fituar edhe me “të voglat”. Nëse fiton ndaj “të mëdhave”, titulli shkon deri në 30%, ndërkohë që pikët e tjera janë me “të voglat”, prandaj duhet të bëjmë detyrën. Në fakt, edhe pas pushimit do të kemi ndeshje të shumta, por duhet të rigjejmë energjitë që kishim humbur gjatë kësaj periudhe dhe nga e mërkura e ardhshme do të jemi gati për të vijuar me të njëjtat rezultate, atje ku e lamë.”

PARTIZANI I BEOGRADIT – Skënderbeu ndeshjen e radhës e ka ndaj Laçit dhe më pas do të presë Lushnjën po në Korçë, kurse më 19 tetor duhet të udhëtojë drejt Elbasanit, ku do të përballet me Partizanin e Beogradit. Për këtë takim, trajneri Daja dje ka theksuar: “Për Partizanin e Beogradit dua të them se ka kohë që të mendojmë. Çfarë do të bëjmë ndaj Laçit dhe Lushnjës, do të reflektohet edhe ndaj Partizanit të Beogradit, por tek ai takim ka mobilizim tjetër, entuziazëm tjetër, dëshirë tjetër dhe gjithçka tjetër nga këto që ne luajmë në Superligë. Ndaj Partizanit të Beogradit koeficienti i vështirësisë është i lartë, pas ngjarjeje që ndodhën në Beograd me Kombëtaren tonë. Mendoj që ne si skuadër nuk duhet ta kemi dozë emocionale dhe duhet të fokusohemi vetëm te ai takim kur të vijë momenti. Këtë do t’ua transmetoj edhe lojtarëve të mi.”

KOMBËTARJA – Për dy ndeshjet e Kombëtares ndaj Spanjës dhe Italisë, trajneri Daja do të shprehej: “Nëse flas si shqiptar, absolutisht që dua rezultate pozitive. Në pozicionin e trajnerit mendoj se është e pamundur, pasi dihen kualitetet që kanë ekipet që ne do të përballemi. Gjithsesi, futbollit asnjëherë nuk i dihet dhe ëndërrohet. Pitshmëritë janë për një lojë të mirë”.

 

Korçarët nuk janë kursyer aspak në ndeshjen e kthimit në Kupën e Shqipërisë. Rezultati i përgjithshëm 17-1. Stafi provon të gjithë të rinjtë

Skënderbeu – Mamurrasi 9-1 (17-1)

Shënues: Nespor 4’ (11-metërsh), 17’, Shkodra 7’, Mara 11’, 25’, Gripshi 38’, Liqeri 65’, Lulaj 68’, Tako 86’ / Trungshi 71’ (11-metërsh)

 

Skënderbeu: Teqja, Lulaj, Tako, Koçibellino, Pëllumbi, Demte, Shkodra (Liqeri 46’), Mara, Gripshi (Berisha 46’), Nespor (Bregasi 46’), Kelmendi. Në dispozicion: Braçe, Sulçe.

Trajner: I.Daja.

Mamurrasi: Zaimi, Dedgjonaj (K.Lika 55’), Përlesi, R.Lika, Yzeiraj, Trungshi, Bushpepa, Gjoni, Hoti (Kalthi 23’), Stojani, Elezi (Gjegji 65’). Në dispozicion: Mihana, Pepgjoka, Balozi, Kola.

Gjyqtarë: Xh.Mema, L.Koçi, R.Mersini (Durrës)

Arbitër i 4-t: Q.Çopa (Durrës)

Vëzhgues: V.Angjo (Pogradec)

Delegat: R.Rapo (Korçë)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *