Skënderbeu tjetër leksion Flamurtarit, në finale kundër Laçit

Skënderbeu nuk e ka fituar kurrë Kupën e Shqipërisë, por nuk ka rast më të mirë se këtë vit për ta thyer ta tabunë, pas shumë titujsh kampionë në një dekadë.

Sot Skënderbeu i dha leksionin e dytë Flamurtarit në pak ditë, sepse pasi e mundi 3-0 për kampionat, triumfoi sërish në Vlorë, 2-0 për kupë.

Një ndeshje ku Flamurtari mendoi vetëm të mbronte fitoren 1-0 në Korçë, por sapo Skënderbeu gjeti golin e parë me Souenë në minutën e 59-të, gjithçka u shkërmoq. Ironike, sepse vetëm 2 minuta para golit korçar Danilo Alvesh tronditi shtyllën dhe nëse shënonte zor se kishte më kthesë.

Skënderbeu, me eksperiencë dhe klas të jashtëzakonshëm, shënoi golin e dytë me Nimagën dy minuta pas golit të parë, sërish duke depërtuar në të majtë të mbrojtjes vlonjate, ndërsa më pas gjithçka mori fund, sepse kuqezinjtë nuk patën forcë për të krijuar raste për shënim, me Skënderbeun që administroi shumë mirë fitoren që e çon në finalen kundër Laçit.

KUPA E SHQIPËRISË

Flamurtari – Skënderbeu     0-2

Shënues: Soue 59′, Nimaga 61′

Flamurtari: Nurkoviç – Siljanovski, Bicaj, Pollozhani, Musta –  Sidibe, Useini – Zuka (Tunkara 66′), Muarem (Hoxhaj 77′), Zhufo (Nedeljkoviç 65′) – Alvesh. Të gatshëm: Sali, Veliu, Deliaj, Hyseni.

Trajner: Shpëtim Duro

Skënderbeu: Teqja – Vangjeli, Radas, Aliti, Mici – Osmani, Nimaga, Lilaj – Vila (Muzaka 71′), Gavazaj – Soue (Krasniqi 86′). Të gatshëm: Shehi, Abazi, Gripshi, Sahiti, Demte.

Trajner: Ilir Daja

Kartonë të verdhë: Zuka 27′ / Osmani 36′

Gjyqtarë: Laver Alla, Ilir Tartari, Ermal Barushi, Andi Koçi

EPISODET

61′ GOL SKËNDERBEU! Identik si në golin e parë, Skënderbeu shënon sërish. Nimaga merr një top jashtë zone dhe shënon një super gol!

59′ GOL SKËNDERBEU! Sulm i shpejtë korçar, Soue në qendër të zonës merr një pasim të bukur nga e djathta dhe nuk fal, 0-1. Flamurtari proteston sepse Danilo Alvesh ishte i dëmtuar në mesfushën korçare.

55′ SHTYLLË FLAMURTARI. Danilo Alvesh i shpëton pozicionit jashtë loje, godet fort në pozicion diagonal, por shtylla shpëton Skënderbeun. Aksioni vazhdon, një lojtar i Flamurtarit ndalet nga një mbrojtës kundërshtar, por arbitri nuk akordon asgjë.

38′ Danilo Alvesh, i cili ia doli të vazhdonte lojën, për pak sa nuk rrezikon të shënojë autogol, duke devijuar keq një goditje nga këndi. Sërish këndore, Nimaga godet fluturimthi dhe është i pafat, sepse topi i tij godet Souenë dhe del jashtë. Mund të shënonte mesfushori nga Mali!

34′ Danilo Alvesh është dëmtuar dhe duket se nuk mundet të vazhdojë. Ka marrë një goditje të fortë pas një rivënieje të fituar në sulm.

31′ Flamurtari jep një shkëndijë. Muarem godet fort nga distanca, por mbi traversë.

24′ Tenton sërish Skënderbeu, me Gavazajn që në hyrje të zonës gjuan me të djathtën, por lehtë, pasi nuk është këmba e tij dhe Nurkoviç ndal pa problem.

22′ Ritëm i ulët, shumë kujdes nga të dyja skuadrat. Ka moment frike pas një goditjeje nga këndi për Skënderbeun, sepse Sidibe përplaset kokë më kokë me Nimagën. Për fat, asgjë serioze për të dy.

16′ Skënderbeu jep sinjalin e parë, pas disa tentativash drejt zonës vlonjate. Një kros në zonë, aty ku mbrojtja vlonjate lë shumë hapësirë. Soue godet me kokë, por topi përplaset te Siljanovski dhe e ndal qetësisht portieri Nurkoviç. Soue pretendon prekje me dorë nga Siljanovski, por nuk ka asgjë, pasi topi u ndal me gjoks nga mbrojtësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *