Skënderbeu “skarcon” Fejzullahun

0

 

Klubi korçar sqaron “çështjen” e mbrojtësit të Partizanit. Kampionët mohojnë interesimin për kosovarin

 

Leonard TREBICKA        

 

Skënderbeu reagon për “çështjen” Fejzullahu. Në faqen zyrtare të klubit në internet, drejtuesit kanë mohuar interesimin për mbrojtësin e Partizanit. Dje rreth orës 14:00, krerët e klubit bardhekuq përgënjeshtruan thashethemet e ditëve të fundit që e lidhnin mbrojtësin kosovar me një kalim të tij te kampionët. Nga dje, duket se Skënderbeu ka hequr dorë nga Fejzullahu dhe ka hedhur dritë mbi këtë “çështje” duke mohuar gjithashtu ndonjë shkëmbim të lojtarit të Partizanit me Xhejmsin. Teksa kjo situatë është sqaruar nuk kemi asnjë risi tjetër në deklaratën zyrtare për sa i përket merkatos. Duhet thënë se tashmë të gjithë në Korçë po presin 31 korrikun ditë kur Skënderbeu do të zbarkojë në shtëpinë e vet për të startuar përgatitjet e verës.

DEKLARATA- “Klubi Futboll Skënderbeu, duke marrë shkas nga lajmet e publikuar së fundmi, por jo për herë të parë në mënyrë jo-profesionale, bën të ditur që në kampin bardhekuq nuk ka asnjë çështje ‘Fejzullahu’. Nisi me spekullime që në Austri dhe me lajme aspak të pavërteta, duke vazhduar dhe sot (dje) me fantazi të shfrenuara. Fejzullahu është një lojtar i respektuar, si gjithë futbollistët e tjerë nga ana e klubit tonë, por ai nuk bën pjesë në planet tona, për më tepër s’ka lidhje me shkëmbim futbollist me futbollist. Është totalisht jashtë logjikës shkëmbimi i një sulmuesi me një mbrojtës. E ritheksojmë që askush nga lojtarët e përmendur gjatë këtyre ditëve në rrjete sociale dhe në media nuk janë në planet tona. Të gjitha afrimet dhe zyrtarizimet do të bëhen si gjithmonë publikë nga klubi ynë, ashtu siç janë publikuar të gjitha zhvillimet dhe lajmet e mëparshme! Bëjmë thirrje që media të tregohet më tepër profesioniste dhe e matur me lajmet që publikon për Skënderbeun dhe jo vetëm pasi nuk është etike që një futbollist ta dërgojnë me patjetër në një skuadër. Nuk është media ajo që e zhvillon merkaton, por vetë klubi ynë! Me respekt: Drejtuesit e klubit të futbollit Skënderbeu”. Kjo ka qenë deklarata e djeshme e korçarëve që sqaron njëherë e mirë se Fejzullahu nuk është më në planet e Skënderbeut.

31 KORRIKU- Ndërkohë që ende nuk ka ndonjë të re për sa i përket merkatos, të gjithë në Korçë janë duke pritur 31 korrikun, ditë kur kampionët do të nisin përgatitjet. Në Korçë për momentin nuk gjen asnjë futbollist të Skënderbeut, ndërsa vetëm Tefik Osmani është parë në qytet, më tepër për të shëtitur në vendlindje dy binjakët e tij. Të shtunën pritet të mbërrijë edhe trajneri Andrea Agostileni. Për italianin kjo do të jetë vizita e tij e parë në Korçë. Nuk dihet nëse Skënderbeu do të qëndrojë gjatë gjithë gushtit në shtëpinë e vet, apo do të largohet për të zhvilluar diku tjetër fazën përgatitore. Italia është një mundësi ku kampionët mund të vijojnë seancat stërvitore, por ende nuk ka një lajmërim zyrtar nga ana e klubit për një gjë të tillë. Skënderbeu mund të zgjedhë të qëndrojë edhe në Korçë, duke parë edhe temperaturat e përshtatshme në juglindje. Problemi i vetëm mbeten ndeshjet miqësore, pasi bardhekuqtë do ta kishin të vështirë që të gjenin kundërshtarë. Gjithsesi kjo çështje do të zgjidhet sapo trajneri Andrea Agostineli të mbërrijë në Korçë dhe pas bisedës së tij me presidentin Ardjan Takaj.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here