Skënderbeu nuk i ndahet Vlorës, në sulm për kroatin Bushiç

Fatjon Rupi

Drejtuesit e Skënderbeut kanë angazhuar shumë menaxherë aktualisht për të gjetur sulmuesit që ata duan, ose të paktën një të tillë me kualitet të lartë. Afrimet në këtë repart duhen bërë urgjentisht, duke parë që ndeshjet europiane po afrojnë. Presidenti Ardjan Takaj ka pranuar pak ditë më parë se e gjithë vëmendja është te sulmi dhe përforcimi i tretë për trajnerin Ilir Daja do të jetë pikërisht për këtë repart. Dhe dje ka dalë në skenë një emër i njohur në kampionatin shqiptar, Tomislav Bushiç. Sulmuesi kroat është vënë në “radarët” e Skënderbeut dhe gjasat janë të mëdha të arrihet akordi mes tij dhe klubit korçar. Sezonin e fundit Bushiç luajti për Flamurtarin, ndërkohë që më parë ka veshur edhe fanellat e Vllaznisë dhe Tiranës në Superiore. Mësohet se lojtari nuk ka kontratë me klubin vlonjat dhe korçarët mund të përfitojnë në këtë moment. Burime pranë klubit bardhekuq bëjnë me dije se kontaktet mes palëve kanë filluar dhe pritet përgjigja e Bushiçit. Trajneri Daja e pëlqen Bushiçin, i cili i bën punë skuadrës së tij. Bushiç është 31 vjeç dhe ka përvojë të mjaftueshme për të qenë pjesë e bardhekuqve, sidomos në Kupat e Europës. Karriera e tij është e pasur, teksa në Kroaci ka luajtur me Hajdukun e Splitit dhe Slaven Belupon. Eshtë huazuar edhe te Dinamo e Kievit, por nuk ka mundur të luajë asnjë ndeshje. Po ashtu, Tomislav Bushiç ka qenë pjesë e Kombëtareve të moshave të Kroacisë, deri te U-21-shi. Në sezonin 2013-2014 erdhi në Shqipëri për të luajtur me Vllazninë e më pas edhe me Tiranën e Flamurtarin. Me këtë të fundit shënoi 10 gola sezonin e kaluar. Pas Donjet Shkodrës, korçarët duan të marrin nga vlonjatët një tjetër titullar të rëndësishëm, siç është Bushiç. Situata po ndiqet me kujdes dhe që sot mund të kemi një përgjigje përfundimtare nga kroati.

TË TJERËT – Nëse Tomislav Bushiç pranon të vishet bardhekuq, nuk do të jetë sulmuesi i fundit, që do të vijë te Skënderbeu. Klubi bardhekuq është duke punuar çdo ditë e më shumë që të afrojë edhe lojtarë të tjerë për sulmin. E veçanta është se këtë herë te Skënderbeu duan t’ua besojë këtë repart vetëm lojtarëve të huaj. Flitet se do të ketë edhe një goditje të madhe për sulmin, por është shumë e vështirë të mësohen detaje të tjera, për vetë faktin se janë pista të huaja. Trajneri Ilir Daja ka kërkuar që ta shohë vetë çdo lojtar para se të hidhet e zeza mbi të bardhë. Skënderbeu ndodhet në Slloveni dhe tifozët korçarë janë me sy e veshë nga merkatoja, ku presin të mësojnë emrat e rinj. Këto dy ditë ka shumë mundësi që Skënderbeu të bëjë edhe goditjen e tretë në këtë merkato vere. Bushiç ka shanse të mëdha, por nuk është çudi të keRmi edhe ndonjë emër tjetër të zyrtarizuar shumë shpejt për korçarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *