Skënderbeu, një mësim jete!

1

 

 Nga Anton Cicani

“Të gjithë ne kemi nevojë të besojmë për diçka: unë besoj që pas një momenti do të konsumoj një birrë…” Nuk duhet të jesh një njeri i madh për të besuar në diçka të madhe dhe Homer Simpson, një nga protagonistët e filmave me kartona më të famshëm në botë, u mjaftua me një banalitet për t’i dhënë fjalës “besim” atë domethënie që njerëzit kërkojnë të gjejnë… Në Korçë, ajo birrë është hapur që mbrëmjen e djeshme, kur akrepat e orës kanë shënuar 21:50 dhe kur në Kishinjev të Moldavisë, gjyqtari i takimit Milsami-Skënderbeu i ka rënë bilbilit, duke certifikuar fitoren 2-0 të kampionëve të Shqipërisë. Sigurisht, ka edhe një ndeshje kthimi dhe të “qëndrosh me këmbë në tokë”, fraza tashmë “fotokopje” e trajnerit Josa (jemi kuriozë nëse do ta thotë këtë edhe pasi të shohë skuadrën teksa fiton pas pjesës së parë në Korçë!) është e ligjshme, por si mund t’i presësh krahët e entuziazmit të akumuluar vite me radhë?! Shumë vështirë, aq e vështirë sa ka qenë edhe rruga e skuadrës korçare, e nisur pesë vjet me parë, në një malore të fortë, aty ku nuk e di se çfarë të pret në dishezën që do të ndjekë, por je i vetëdijshëm se çfarëdo që të jetë, ajo dishezë do të vijë… Një mësim jete, të cilin Skënderbeu e nguliti në kokë në pak leksione, sepse u përqendrua dhe nuk bëri “mungesa pa arsye”. Ato mungesa që mund të dukeshin të padëmshme, duke prishur grupin, duke shitur më të mirët, duke anashkaluar investimet… Ekipi korçar preferoi të zgjidhte rrugën e projektimit, atë që sot mund t’i japë frytet e merituara të një rrugëtimi të nisur zbathur, por që sot e sheh me këpucë dhe madje të shtrenjta… Investime të njëpasnjëshme në merkato, në infrastrukturë (stadiumi ka pësuar disa ndryshime), por edhe në metodologjinë e punës e fazat përgatitore. Pesë tituj kampionë s’mund të fitohen kurrë rastësisht dhe janë konfirmimi se Skënderbeu ka bërë gjithçka më së miri dhe s’ka gabuar në asnjë hap. Përkundrazi, është munduar që të shohë terrenin ku do të hidhte këmbët. Në mes, një lumë me kritika, gjithmonë dhe në çdo anë. Sigurisht, këtu vlen ajo fjala “më i miri sulmohet”. E megjithatë, ato e bënë edhe më të fortë skuadrën korçare, që tashmë është pranë historisë së futbollit shqiptar dhe që, në rast se fati do të jetë me të, mund të bëjë atë që askush s’e ka bërë: të shkojë në Champions. Por, fillimisht, duhen hedhur hapat ashtu si Skënderbeu na ka mësuar, edhe kur shihte se përballë kishte disa lojtarë që preferonin picën se sa topin… Fundja, topi është i rrumbullakët, çdokush mund të fitojë, çdokush mund të humbë. Rëndësi ka se si e bën!

 

 

 

 

 

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here