Skënderbeu, në gjysmëfinale me mendjen te Tirana…

0

Sulmuesi brazilian dhe ai nigerian i japin kualifikimin e lehtë ekipit kampion. Trajneri Josa hedh në fushë lojtarë të rinj dhe sërish ekipi bind. Për Vllazninë shënon Marku golin e nderit

 

E mërkurë, 17 shkurt 2016, ora 13:30, stadium “Skënderbeu”, Korçë

 

Skënderbeu – Vllaznia 2-1

Shënues: Renatinjo 41’, Xhejms 55’ / Marku 87’

 

Skënderbeu: Shehi, Arapi, Lulaj, Vangjeli, Abazi, Progni, Lilaj (Shkëmbi 59’), Eskuerdinja, Nafiu (Osmani 77’), Xhejms, Renatinjo (Plaku 60’). Trajner: M.Josa.

Vllaznia: Dragojeviç, Pjeshka (Gurishta 62’), Rudoviç, Vrapi, Marku, Tafili, Krymi (Hakaj 61’), Bardulla, Çinari, Kalaja, Dibra (Dyca 77’). Trajner: A.Madzar

Gjyqtarë: B.Pashaj, R.Avdo, D.Myftari (Tiranë)

Kartonë të verdhë: Progni, Vangjeli, Abazi, Tafili, Vrapi

Vëzhgues: Astrit Canaj

Delegat: Petrit Haxhija

 

Golat

41’ – Kombinim brazilianësh për Skënderbeun. Eskuerdinja shërben për Renatinjon, i cili me kokë e dërgon topin në rrjetë, duke kaluar Skënderbeun në avantazhin, 1-0.

55’ – Kundërzbritje e shpejtë e Skënderbeut. Lilaj jep një top të saktë në qendër për Xhejmsin, që e dërgon në rrjetë dhe 2-0.

87’ – Goditje këndi për miqtë. Marku, i ndodhur i lirë brenda zonës korçare, nuk e ka të vështirë të shënojë golin e parë, që mbetet thjesht sa për statistikë.

 

Radiografia

9’ – Rasti i parë i ndeshjes u takon korçarëve. Progni,nga një goditje dënimi te vija e 16 metrave, gjuan fuqishëm dhe në momentin e fundit Tafili e largon për në këndore.

11’ – Progni për vendësit kroson dhe gjuan njëkohësisht, por është portieri Dragojeviç që grushton për në këndore aty ku bashkohet traversa me shtyllën e majtë pingule.

15’ – Sërish Progni, në rastin e tretë radhazi, shkarkon një të djathtë të fuqishme, por topi përfundon mbi tra.

17’ – Goditje këndi për vendësit. Progni fut një top në zonë, ku Xhejms, që me portën e boshatisur, humbet një rast të pastër, duke gjuajtur jashtë.

28’ – Sprint prej 60 metrash nga ana e Vangjelit, që preferon të nxjerrë të lirë nigerianin Xhejms, ky i fundit gjuan dhe pret portieri Dragojeviç.

46’ – Pjesa e dytë nis me një rast të pastër për Skënderbeun, ku Xhejms gjuan në hyrje të zonës dhe topi përfundon jashtë.

62’ – Goditje dënimi për Vllazninë. Bardulla fut topin brenda zonës korçare, ku Shehi tregohet i saktë me ndërhyrjen e tij.

73’ – Rasti i parë i pastër për Vllazninë. Kalaja del i vetëm përballë Shehit, por ky i fundit shpëton një gol të sigurt me grushtimin e topit.

83’-85’ – Raste të njëpasnjëshme të pastra për Vllazninë, që nuk shënon dot në portën e Skënderbeut. Çinari, Hakaj dhe Dyca dalin të vetëm përballë portës vendase. Gjuajtjet e dy të parëve priten nga Shehi, ndërsa Dyca prek rrjetën e jashtme.

87’ – Më së fundi mbërrin edhe goli i nderit për Vllazninë, teksa Marku, pas një goditjeje këndi, nuk e ka të vështirë të shënojë me portën e boshatisur. 2-1 për Skënderbeun, që kalon më tej në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.

 

Leonard Trebicka

Skënderbeu bën detyrën ndaj Vllaznisë, duke kaluar në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, pas fitores 2-1. Kampionët e Shqipërisë kanë arritur një kualifikim të lehtë ndaj shkodranëve, që nuk është se u sforcuan. Edhe korçarët më shumë mendonin për Tiranën se për këtë 90-minutësh, që dukej në fakt si një histori e mbyllur, pasi Skënderbeu luajti më mirë, e kërkoi shumë herë golin, shënoi dy herë dhe kishte një përqindje të madhe të madhe të mbajtjes së topit. Ashtu siç pritej, trajneri Mirel Josa hodhi në fushë një skuadër me shumë ndryshime, ku Salihi, Latifi, Radas dhe Orelesi nuk ishin as në stolin e rezervave. Të gjithë të kursyer për ndeshjen e së hënës ndaj Tiranës, por në stol ishin edhe emra të tjerë si kapiteni Shkëmbi, Nimaga, Jashanica apo Osmani e ndonjë tjetër. Me kaq shumë mungesa Skënderbeu zhvilloi një lojë vërtet të mirë dhe e meritoi kalimin në gjysmëfinale. Për Vllazninë, siç e thanë edhe drejtuesit pas ndeshjes, kjo përballje ishte më shumë një test para Flamurtarit, pasi shkodranët nuk kishin synime në Kupën e Shqipërisë, aq më tepër që dje në stol nuk kishin as Cungun e dënuar, që e ndoqi ndeshjen nga tribuna. Gjithsesi, Skënderbeu në fund iu gëzuar fitores, pasi e çoi në katër më të mirët e Kupës dhe këtë sezon ndoshta mund të fitojë të dy trofetë.

PJESA E PARË – Fraksioni i parë i ndeshjes nis me një Skënderbe, që vetëm sulmon dhe me një Vllazni që mbrohet vazhdimisht. Gerhard Progni është protagonisti i 20 minutave të para, teksa tregon se është ndër më të mirët në fushë me krosime dhe gjuajtje drejt portës shkodrane. Por mungon goli, që do ta çonte Skënderbeun në gjysmëfinale, ndërkohë që Vllaznia mbrohet dhe në gjithë pjesën e parë nuk shënon asnjë rast të vetëm në portën korçare. Xhejms dhe Renatinjo nga krahu tjetër lëvizin shumë dhe sulmi i kampionëve është i frikshëm. Rasti më i mirë do të shënohej në minutën e 28-të, kur Xhejms, pas asistit të Vangjelit, nuk arrin të shënojë. Goli do të vinte vetëm 4 minuta përpara fundit të pjesës së parë. Eskuerdinja shërben për te Renatinjo dhe ky i fundit me kokë nuk e ka të vështirë ta dërgojë topin në rrjetë. Skënderbeu futet në dhomat e zhveshjes me avantazhin 1-0.

PJESA E DYTË – Nuk ka ndërrime dhe të dy stafet u besojnë të njëjtëve futbollistë. Skënderbeu hidhet në sulm për të shënuar golin e sigurisë, që në fakt do të vonohej vetëm 10 minuta dhe mban emrin e Xhejmsit, pas pasit të artë nga Lilaj. Pas këtij momenti për Skënderbeun kualifikimi thuajse është në “xhep”, ndërkohë që për shkodranët kjo ndeshje duhet mbyllur sa më parë. Në harkun kohor të 3 minutave kryhen 4 ndërrime, 2 për vendësit dhe 2 për Vllazninë. Skënderbeu sikur tërhiqet në prapavijë, ndërsa shkodranët sikur shikojnë më shumë drejt portës korçare. Rastet e shumta për shënim për miqtë do të fillonin pas minutës së 83-të, kur në 4 minuta Vllaznia ka 5 raste të pastra. Dhe pikërisht në minutën e 87-të do të vinte edhe goli për miqtë, që vlen sa për statistikë, teksa Marku, i vetëm me portën e boshatisur, pas një këndoreje, i çon shifrat në 2-1. Asgjë për t’u shënuar deri në fund. Korçarët e kanë mendjen te Tirana, ndërsa shkodranët te Flamurtari, në përballjet e javës së 22-të të kampionatit.     

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here