Skënderbeu mbyll dyert, u kërkon ndjesë tifozëve

0

Sot Skënderbeu do të zhvillojë stërvitje pa praninë e tifozëve. Një gjë e tillë do të ndodhë edhe në dy ditët e ardhshme

Nga sot e në vazhdim, “ethet” e ndeshjes së radhës ndaj Dinamos së Zagrebit do të ndihen edhe më shumë në kampin bardhekuq. Klubi ka njoftuar dje se gjatë pasdites nuk do të lejohet askush t’i afrohet stadiumit “Skënderbeu”. Sot është dita e paralajmëruar, teksa Skënderbeu do të fillojë të stërvitet me dyer të mbyllura, për shkak se ka frikë nga “spiunët” e mundshëm kroatë, që mund të jenë dërguar tashmë në Korçë. Në orën 18:00 të gjithë futbollistët dhe stafi teknik duhet të jenë prezentë në ambientet e stadiumit, ndërkohë që për 30 minuta do të lejohen edhe gazetarët për intervistat e rastit. Më pas çdo gjë rreth e rrotull stadiumit do të boshatiset, ndërkohë që trajneri Daja dhe të tijtë do të zhvillojnë seancën e radhës.

Nga sot fillojnë edhe skemat taktike, prandaj klubi ka menduar që të mbyllë dyert edhe për tifozët. Një gjë e tillë do të vijojë deri kur të mbyllen përgatitjet dhe më pas skuadra të niset drejt Zagrebit. Pritet që në stadium të ketë edhe uniforma blu, për të mos lejuar askënd të vëzhgojë stërvitjen. Me pak fjalë, nga sot Skënderbeu do të jetë në “shtetrrethim”.

KLUBI – Për pamundësinë e ndjekjes së stërvitjes, klubi korçar ka kërkuar mirëkuptimin e tifozëve, duke u kërkuar ndjesë atyre. Gjëra të tilla janë normale të ndodhin, aq më tepër përpara një ndeshjeje si kjo ndaj Dinamos së Zagrebit. E vetmja gjë që nuk shkon është se sot, në natën e fundit të festës së birrës, në Korçë pritet që përpara stadiumit të ketë shumë njerëz që do të festojnë. Ky shqetësim është vetëm për sot, pasi nga nesër trajneri Ilir Daja dhe të tijtë do të jenë më të qetë në stërvitje.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here