Skënderbeu mbetet “peng” i KAS-it, çdo gjë pezull

 

Leonard Trebicka

Që në Korçë të gjithë janë në pritje të vendimit që do të japë KAS-i, ky nuk duket se është ndonjë lajm i ri. Por shqetësimi kryesor lidhet me faktin se gjithçka mbahet peng nga ai vendim, duke nisur nga firmat e reja të lojtarëve, merkatoja në hyrje, huazimet, firma e trajnerit, apo edhe faza përgatitore verore. Se çfarë do të ndodhë me Skënderbeun, nuk di t’i përgjigjet në këtë moment as vetë presidenti Ardjan Takaj, pasi edhe ai si gjithë të tjetër është në pritje të vendimit.

FAZA PËRGATITORE

Duke parë vitet e kaluara, Skënderbeu bëhej gati në këtë periudhë për të filluar fazën përgatitore verore. Sot është data 10 qershor, ndërkohë që te korçarë nuk e dinë se kur fillon kjo fazë. Trajneri Ilir Daja kishte parashikuar që data 10 qershor të ishte dita e parë e fillimit përgatitoreve verore, por kjo duket se është anuluar. Pa një vendim të KAS-it, asnjë nuk di të thotë se kur nis faza. Rrjedhimisht nuk është caktuar as vendi. Nëse vendimi i KAS del pozitiv, burime pranë klubit bardhekuq bëjnë me dije se Daja do të lajmërojë menjëherë më “sms” të tijtë për ditën e nisjes së përgatitjeve. Austria dhe Portugali janë opsionet, por nuk përjashtohet edhe ndonjë vend tjetër.

LOJTARËT

As vetë futbollistët nuk dinë se çfarë do të ndodhë me ta në të ardhmen. Gjithashtu janë “peng” i vendimit të KAS-it. Rinovimet do të fillojnë menjëherë pasi të mësohet se ç’do të ndodhë me Skënderbeun, ndërkohë që lista e emrave dhe dëshirave të Skënderbeut thuajse është gati. Rinovimet do të jenë hapi i parë. Pas tyre do të përcaktohen futbollistët që do të huazohen, për të cilët Daja thuajse e ka gati vendimin, pasi e ka piketuar grupin dhe lojtarët që nuk i bëjnë më punë. Më pas vjen merkatoja. Korçarët i kanë gati disa emra futbollistësh që do të firmosin dhe kjo do të ndodhë menjëherë sapo të jepet vendimi. Të gjitha këto e shumë të tjera sigurisht që janë “pengu” i KAS-it, që sa shumë po e “streson” Skënderbeun. Vitet e shkuara korçarët e kishin kryer pjesën më të madhe të merkatos deri në këtë periudhë, por tanimë situata është krejtësisht tjetër. Me pak fjalë, të gjithë janë në pritje. KAS-i ka në dorë fatet e Skënderbeut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *