“Skënderbeu ishte 12 pikë para”, trajneri në Kosovë tregon ofertën e Gjicit: Më tha a na nxjerr kampion ti? I thashë “JO”

Nga Klaudio Ndreca

Afrim Toverlani që drejton sot Feronikelin ka treguar për “Fan Zone” një propozim që ka marrë nga Safet Gjici përpara disa vitesh për të drejtuar Kukësin. Tashmë është mëse e ditur fiksimi që ka drejtuesi i verilindorëve me titullin e Superiores, duke e kërkuar atë edhe në kushtet më të pamundura.

Orges Shehi që e mori skuadrën në periudhën më të keqe e kishte po këtë kusht, pasi në të kundërt do të shkarkohet. Por ky rast nuk është asgjë në krahasim me atë që rrëfen Toverlani për “Supersport”. Teksa nga studio pyetet se përse trajnerët nga Kosova nuk vijnë në Shqipërinë, vjen edhe përgjigja:

“Po unë kam pasur një bisedë me presidentin e Kukësit, Gjici. Atëherë Skënderbeu ishte 12 pikë përpara dhe më thotë mua: “Po të vish ti, a do na nxjerrësh kampion?”. I thashë që jo, nuk dua të gënjej kot. Por është e pamundur që të dalësh kampion me atë diferencë. Pastaj Gjici më tha se çfarë i garantoja dhe iu shpreva që dalja në Europë duhej të ishte objektivi im dhe pozita e dytë. Sa i përket pyetjes suaj, trajnerët punojnë më mirë në Kosovë, pasi në Shqipëri vendosin më shumë presidentët e klubeve dhe nuk dëgjohet trajneri”, tha Toverlani. /Sport Ekspres/