Skënderbeu i Shehit nis me lojtarët me kontratë

13 lojtarë janë të sigurt se do të jenë shumë shpejt nën urdhrat e trajnerit Shehi, por drejtuesit shpresojnë të mbajnë edhe disa titullarë

Tashmë dihet situata te Skënderbeu, ku një pjesë e titullarëve janë larguar, madje pa u marrë mirë vendimi i CAS-it, që la në fuqi vendimin e UEFA-s, pra e la Skënderbeun jashtë Europës. Që nga Lilaj dhe me radhë Soue, Vangjeli, apo edhe Mici e ndonjë tjetër, i kanë marrë “valixhet”. Janë gati të bëjnë këtë gjë edhe disa të tjerë. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, teksa edhe “timonieri” Daja u largua drejt Vlorës. Kjo situatë pak a shumë dihej. Gjithsesi, situata nuk është aq e vështirë, sepse korçarët kanë një numër të konsiderueshëm futbollistësh me kontratë dhe ata nuk mund të largohen. Presidenti Takaj po përpiqet shumë që së bashku me trajnerin Orges Shehi, të mbajnë disa nga ata që u ka përfunduar kontrata, por që nuk e kanë deklaruar ende “divorcin”. Bëhet fjalë për Osmanin, Muzakën, apo edhe Radasin e ndonjë tjetër, që pak a shumë kanë shprehur besnikëri ndaj fanellës bardhëkuqe. Këta lojtarë po përpiqet t’i bindë edhe vetë trajneri Shehi, i cili çdo ditë e më shumë po zhvillon takime me titullarët “kokë më kokë”.

EKIPI I RI – Por nga do të nisë Skënderbeu i ri? Kjo pyetje e ka një përgjigje në fakt, sepse janë 13 lojtarë që kanë kontratë me Skënderbeun. Që nga Xhejms, dhe me radhë Gripshi, Abazi, Sambou etj., do të qëndrojnë në Korçë. Pikërisht nga këta futbollistë do të fillojë të ndërtohet Skënderbeu i ri dhe më pas do të plotësohen repartet me emra jo të mëdhenj. Te Skënderbeu shpresojnë shumë që me ekipin e ri do të luajnë denjësisht në kampionat.

SHITJET – Problemi tjetër është se janë disa lojtarë të tjerë nën kontratë me Skënderbeun, madje nuk janë pak, por ta të gjithë do të shiten. Me të ardhurat nga shitjet e tyre do të sigurohen pagesat dhe rrogat mujore të paktën deri në dhjetor. Gavazaj, Aliti, Bregu, Nimaga, Dita janë emra lojtarësh, që do t’i bënin shumë punë Skënderbeut sezonin e ardhshëm, madje nëse qëndronin do të ishte super, por edhe ata vetë nuk e mendojnë qëndrimin. Këta lojtarë po presin që shumë shpejt të mësojnë emrin e ekipit të ri dhe të largohen për t’i bërë mirë Skënderbeut, duke i mbushur arkën. Shpresat që ndonjëri prej tyre të qëndrojë, janë thuajse zero, prandaj duhet gjetur sa më parë ekipi i ri për këta futbollistë.

HUAZIMET – 13 lojtarë janë të sigurt që do të qëndrojnë, pasi janë nëN kontratë me Skënderbeun, 5 të tjerë do të shiten, kurse një pjesë tjetër janë ata që kanë qenë në huazim. Janë të paktën 10 lojtarë që janë huazuar nëpër Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë. Disa prej tyre mund të kthehen, pasi skuadra në këtë moment ka më shumë se kurrë nevojë për ta. Oto Xhon, Çarls, Lulaj e shumë emra të tjerë, të gjithë janë të huazuar dhe Takaj pritet të bisedojë gjatë këtyre ditëve edhe me trajnerin Orges Shehi për të vendosur se cilët mund të kthehen.        

Lista e lojtarëve që kanë kontratë

1.Kaba Sambou

2.Leonit Abazi

3.Beniam Demte

4.Nazmi Gripshi

5.Bruno Lulaj

6.Uerdi Mara

7.Suad Sahiti

8.Marjo Dajsinani

9.Aldo Teqja

10.Xhejms Adeni

11.Blerim Krasniqi

12.Bruno Dita   

13.Jorgo Pëllumbi

Enis Gavazaj (do të shitet)

Fidan Aliti (do të shitet)

Dejvi Bregu (do të shitet)

Bakari Nimaga (do të shitet)

Bruno Dita (do të shitet)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *