Skënderbeu i ri, ndryshon vetëm sulmi

Pas 8 ditësh ndeshja e parë europiane. Vujoviç luan në majë të sulmit. Daja ka dilema, pasi në stol i mbeten emra si Dita, Shkodra, Taku e ndonjë tjetër

Leonard Trebicka

Edhe një javë ka në dispozicion trajneri Daja ta përgatitë ekipin e tij për ndeshjen e parë të Europa League. Skënderbeu e luan ndeshjen e parë në shtëpi, ndaj një kundërshtari modest si Sant Julia nga Andorra. Kualifikimi është thuajse i sigurt, por korçarët po punojnë me shumë seriozitet, sepse synojnë të shkojnë sa më larg në Europë. Faza përgatitore e Sllovenisë është drejt fundit dhe Daja po mendon për formacionin e ndeshjes së 29 qershorit. Priten ende afrime, por për ndeshjen e parë stafi teknik po i bën llogaritë me grupin që ka. Me shumë interes pritet një sulmues me kualitet, por që mund të jetë gati për ndeshjet e tjera, ndoshta për turin e dytë.

FORMACIONI – Cili do të jetë formacioni i Skënderbeut për ndeshjen e parë europiane? Trajneri Ilir Daja ka shumë alternativa, sidomos në mesfushë, por pas miqësoreve të deritanishme dhe asaj të fundit me Domzhalen, do ta ndajë mendjen. Në ndeshjen e 29 qershorit në Korçë pritet të zbresë në fushë një ekip, që do të rreshtohet me skemën 4-2-3-1, që trajnerit kryeqytetas i pëlqen shumë. Ndryshime do të pësojë vetëm sulmi, pas largimit të Hamdi Salihi. Vendin e tij pritet ta zërë malazezi Goran Vujoviç. Donjet Shkodra, Brundo Dita dhe Afrim Taku janë tre lojtarët e afruar te Skënderbeu, por mendohet ta nisin nga stoli. Të tre nuk kanë ende gjendjen e tyre optimale. Më shumë gjasa për të qenë titullar ka Dita, ndërkohë që pjesa tjetër është ajo e kampionatit të fundit. Në portë është Shehi, në mbrojtje katër të zakonshmit Vangjeli, Mici, Radas dhe Jashanica, kurse para tyre do të jenë Osmani dhe Lilaj. Pra, Osmani do të vazhdojë të luajë në mesfushë, ndërkohë që në krahët e sulmit do të jenë sërish Gavazaj dhe Latifi. Pikëpyetja e madhe është, nëse Xhejms do të jetë gati më 29 qershor apo jo. Nëse e nis nga stoli, gati është Dita, i cili mund të bëjë shkatërruesin dhe përpara spostohet Lilaj. Ky është formacioni më i mundshëm i Skënderbeut të ndeshjes së parë europiane. Një formacion paraprak, pasi zyrtarin trajneri Daja do ta tregojë vetëm në ditët e fundit të përgatitjeve në Korçë.

Ja si do të jetë Skënderbeu i 29 qershorit!

Shehi – Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici – Osmani, Lilaj – Gavazaj, Xhejms, Latifi (Dita) – Vujoviç   

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *