Skënderbeu i prish festën Tiranës 

0

 

Salihi dhe Lilaj, dy ish-bardheblu ndëshkojnë kryeqytetasit dhe i japin tri pikët korçarëve, të cilët ruajnë ritmin me të kuqtë. “Selman Stërmasi” inaugurohet me humbje, vendasit e kanë me gjykimin

Tirana-Skënderbeu 1-2

E hënë, 30 nëntor 2015, ora 14:00, stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë

Shënues: El.Bakaj 75’/ Salihi 4’, Lilaj 71’

Tirana: Ed.Bakaj, Teqja, Muça, Karan, Hoxhallari (Kadriu 85’), Karabeci, Malaj (Muzaka 87’), Fukui, Lika, Vucaj (Gërçaliu 58’), El.Bakaj Trajner: I. Daja

Skënderbeu: Shehi, Arapi, Jashanica, Radas, Vangjeli, Progni (Ademir 82’), Lilaj, Eskuerdinja, Berisha (Abazi 86’), Olainka, Salihi (Shkëmbi 90’) Trajner: M. Josa

Gjyqtarë: E.Jorgji, E.Gançi, R.Preca

L.Jemini, E.Durmishi (pas portave)

Kartonë të verdhë: Teqja, Hoxhallari, Lika/ Vangjeli

 

Golat

4’- Vangjeli kroson nga e djathta, ndërsa Salihi kërcen më lart se Teqja dhe me kokë mposht Edvan Bakajn. 0-1.

71’- Salihi gjendet përballë Edvan Bakajt, gjuan, pret portieri i Tiranës, topi kthehet te Berisha që pason për Lilajn, ndërsa mesfushori nuk gabon duke e çuar topin në rrjetë. 0-2.

75’-Vangjeli shkakton faull në zonë ndaj Fukuit, ndërsa në këtë rast gjyqtari akordon 11-metërsh. Elis Bakaj insiston për ta ekzekutuar, ndërsa nuk gabon nga pika e bardhë. 1-2.

EPISODET

8’- Lika depërton nga e djathta, kroson në zonë, por Bakaj dhe Fukui nuk arrijnë në kohë për ta devijuar.

17’- Edhe një herë është Lika që nga e djathta hyn në qendër, gjuan me të majtën, por topi shkon ngjitur me shtyllën e majtë pingule të Shehit.

22’- Malaj nxjerr një korridor për Hoxhallarin, që përballë Shehit gjuan me të majtën, topi devijohet, por për gjyqtarin është vetëm rivënie fundore për Skënderbeun.

23’- Arapi lëviz mirë në krahun e majtë, kroson për Berishën që me kokë gjen vetëm traversën.

42’- Kombinim perfekt mes Olainkës, Prognit dhe Lilajt, ndërsa ky i fundit gjuan fort, por “sfera” shkon pak mbi traversë.

47’-Progni hedh një top në zonë për Salihin, i cili provon me një gjysmëroveshatë, topi përplaset në shtyllë, mbërrin edhe Vangjeli, por gjuajtja e tij bllokohet nga Edvan Bakaj.

52’-Kundërsulm i Skënderbeut. Berisha merr topin, provon me një diagonale të rrezikshme, por përgjigjja e Edvan Bakajt është e mrekullueshme, ku me njërën dorë fluturon për të larguar rrezikun.

57’- Olainka përfiton pas një rrëmuje në zonën e Tiranës, provon me një parabol që kalon edhe Edvan Bakajn, por sërish mbi traversë.

MOVIOLA

8’-Gilman Lika hyn në zonën e Skënderbeut, driblon Renato Arapin, ndërsa ndërhyrja e mbrojtësit të korçarëve është disi e dyshimtë, sepse duket që ka kontakt. Por për gjyqtarin Jorgji, i gjendur dhe shumë pranë aksionit, gjithçka është e rregullt. Bankina bardheblu dhe lojtarët e Tiranës në fushë protestojnë, por më kot, pasi loja duhet të vazhdojë.

Andi TANKU

Shtëpia e re nuk i sjell fat Tiranës. Bardheblutë mposhten 1-2 nga Skënderbeut, pikërisht në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Selman Stërmasi”, që pas rikonstruksionit të tij. Korçarët kalojnë kështu një pengesë të vështirë, ndërsa ata që ndëshkojnë kryeqytetasit, si për ironi të fatit janë dy ish-lojtarë të Tiranës, Salihi dhe Lilaj. Një ndeshje vërtetë për kornizë, në një atmosferë entuziaste, ndërsa nuk munguan as pretendimet e kryeqytetasve për një 11-metërsh të pa dhënë nga kryesori Jorgji.

PJESA E PARË- Të dyja skuadrat kanë disa mungesa në përbërjen e tyre, por një gjë e tillë nuk ndikon që loja të jetë me ritëm që në minutat e para. Për ta vërtetuar këtë mjafton Hamdi Salihi për Skënderbeun, i cili realizon që në minutën e 4-t. Vangjeli kroson nga e djathta, ndërsa shkodrani kërcen më lart se Teqja duke shënuar me kokë. 0-1 dhe më keq se kaq nuk mund të nisë kjo ndeshje për Tiranën. Por, reagimi i vendasve vjen 4 minuta më pas. Gilman Lika hyn në zonë, driblon Arapin, i cili i rreshket në këmbë shkodranit. Nuk mungon kontakti, por për Jorgjin nuk ka 11-metërsh. Pakënaqësi në bankinën e Tiranës dhe nga lojtarët në fushën e lojës, por vendimi tashmë është marrë. Vendasit, të shtyrë edhe nga tifozëria kërkojnë golin e barazimit, ndërsa është sërish Gilman Lika protagonist, por në minutën e 17-të, e majta e tij shkon ngjitur me shtyllën. Kundërpërgjigjet Skënderbeu me Berishën 5 minuta më pas, por kosovari me kokë gjen traversën. Pjesa e parë mbyllet me rastin e Lilajt që provon nga distanca, por topi kalon për fat të Tiranës, mbi traun e portës.

PJESA E DYTË- Nuk ka ndryshime në të dyja kampet. Skënderbeu është “fotokopje” e pjesës së parë, por këtë herë Salihi gjen shtyllën 2 minuta pasi kishte nisur pjesa e dytë, ndërsa Vangjeli më pas bllokohet nga Edvan Bakaj. Tirana është e paqartë në mesfushë dhe në sulm, ndërsa korçarët kërkojnë të mbyllin llogaritë. Në të 52-ën, Berisha provon nga një pozicion diagonal, por Edvan Bakaj pret fluturimthi dhe largon rrezikun. Është radha e Olainkës, i cili 5 minuta më pas nuk gjen dot kuadratin, ku edhe pse i vetëm përballë portierit të Tiranës e çon topin mbi traversë. Por goli i sigurisë për Skënderbeun vjen në minutën e 71-të. Topi i kthyer nga Edvan Bakaj pas gjuajtjes së Salihit i shkon Berishës që pason sërish në qendër te Lilaj, ndërsa mesfushori korçar nuk gabon duke ndëshkuar ish-ekipin e tij. 0-2, por Tirana ka ende diçka për të thënë. 11-metërshi i fituar nga Fukui në minutën e 74-t kthehet në gol nga Elis Bakaj. Bardheblutë kanë dëshirë për të shënuar, ndërsa Daja hedh në fushë edhe Muzakën, Gërçalun dhe Kadriun, por sërish deri në fund, asgjë nuk ndryshon. Tirana nuk e shmang dot humbjen, ndërsa Skënderbeu vijon me hap kampioni.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.