Skënderbeu i jep Besës nigerianin Çarls

0

Fatmir Efica

Dje është mbyllur marrëveshja mes dy klubeve Skënderbeu dhe Besa, për huazimin te skuadra kavajase deri në fund të këtij sezoni të qendërsulmuesit Xhefri Çarls. Bëhet realitet premtimi për ta sjellë te Besa futbollistin 19-vjeçar. Ky i fundit, ka të dhëna të spikatura si në aspektin fizik ashtu dhe teknik. Dallohet për nuhatjen e aksioneve dhe duket se do të rezultojë shumë deçiziv për manovrën finalizuese te Besa. E ka në “gen” golin. Prandaj dhe këmbëngulja e stafit të Besës më në fund është kurorëzuar. Tashmë krahas Mateo Hasës që po kalon një formë shumë të mirë dhe ka qenë përcaktues edhe në ndeshjen e javës së kaluar të Besës në transfertën ndaj Ilirisë ku kavajasit fituan pastër 2-0, formohet një dyshe e re, e “frikshme” sipas gjasave për të dhënë produkt konkret në lidhje me finalizimin e sulmeve nga ekipi kavajas që dihet se “prodhon” lojë e mjaft raste, por që në gjysmën e parë të sezonit kishte vuajtur mjaft në lidhje me konkludimet e veta duke realizuar në 13 javët e para vetëm 8 gola. Tani do të jetë një situatë krejt tjetër pasi Hasa & Çarls, do të jenë një “binom “i mjaftueshëm për të shijuar gola e spektakël, duke llogaritur këtu dhe kontributet po aq të vlefshme të të gjithë futbollistëve të tjerë.

TRANSFERTA – U kalua me sukses ndeshja me Ilirinë, me një fitore me shumë vlerë dhe që ka sjellë tashmë një atmosferë krejt tjetër në ekipin kavajas. “Edhe në Fushë-Krujë, pakkush mendonte se Besa do të fitonte. Por, futbollistët respektuan me fanatizëm detyrat e ngarkuara, dhe as që diskutohet se dhe ndaj Tërbunit me një lojë racionale duke u mbrojtur me shumë kujdes por duke kundërsulmuar rrezikshëm, Besa do të arrijë një tjetër triumf në transfertë. Optimizmi i futbollistëve ka qenë brenda tërë limiteve të përmbajtjes për të mos “fluturuar” pse fituam ndeshjen e parë me Ilirinë, një kundërshtar që sikurse dhe Tërbuni ndodhej në pozita të vështira në renditje. Kampionati kërkon impenjim, përgjegjësi dhe një psikologji për të mos iu trembur asnjë sfide. Ne do të jemi me “këmbë në tokë”. Por mbështetemi në përvojën e traditën e madhe që ka Besa. Prandaj besoj se dhe ndeshja ndaj Tërbunit”, – mbylli traineri Ahmataj, do të kalojë me një tjetër fitore.  

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image