Skënderbeu i huazon dy sulmues Burrelit

Matjanët kanë humbur dje pasdite në Pezë ndeshjen miqësore me ekipin kosovar Iliria të Prizrenit, me rezultatin 1-3. Sipas teknikut burrelas Julian Ahmataj ndeshje ishte e fortë dhe e bukur nga të dyja ekipet. Pjesa e parë është mbyllur në barazim 1-1. Golin për vendasit e ka shënuar Donald Mëllugja i rikthyer në ekipin e vendlindjes pas disa muajsh. “Pjesa e parë – shprehet Ahmataj – ishte më e luftuar. Të dyja skuadrat luajtën me formacionet më të mira. Qëllimi ynë ishte i qartë, të testonim lojtarët që janë grumbulluar këtë vit me Burrelin. Them se bashkë me Beqirin kemi bërë më të mirën e mundshme. Në pjesën e dytë aktivizuam disa lojtarë të stolit, për të gjykuar mbi cilësitë e tyre”, – nënvizoi tekniku matjan. 

AFRIMET – Sulmuesi Anteo Osmanllari dhe Paulo Ivani, po i repartit të avancuar, nga dje zyrtarisht pjesë të skuadrës së Burrelit. Osmanllari më parë ka luajtur fazën e parë me Korabin, kurse Ivani me Vëllaznimin e Gjakovës. Të dy lojtarët që janë në pronësi të klubit të Skënderbeut, ndërsa në pjesën e dytë të sezonit do të veshin fanellën matjane. Matjanët synojnë që edhe gjatë kësaj jave të bëjnë afrime, për të shtuar organikën, por edhe për të qenë më solidë në pjesën e dytë të garës, ku synimi i tyre është mbijetesa.

Albi Lala

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *