Skënderbeu gjen një Dinamo të rrëzuar nga froni

0

Dinamo e Zagrebit do të jetë kundërshtari i Skënderbeut në turin “play-off” të Euopa League. Ashtu si dy vite më parë, korçarët do të vihen përballë kroatëve, me ndryshimin e vetëm që asokohe përballeshin në Champions, ndërsa tani në Europa Legue. Edhe pse diktatorë në vitet e fundit në kampionatin e tyre, Rijeka në sezonin e shkuar arriti t’i rrëzonte kryeqytetasit nga froni, pas plot 11 sezonesh rradhazi si kampionë. Në dy dekadat e fundit Dinamo e ka fituar plot 17 herë titullin kampion. Tashmë ka nisur sezoni i ri dhe Dinamo ndodhet në vendin e dytë pas 3 javësh, me dy pikë më pak se Rijeka. Vlera e skuadrës sipas transfermarket është plot 58.7 milion euro, shumë herë më e madhe se e korçarëve.
Në Ballkan Dinamo mund të konsiderohet si klubi me akademinë më të suksesshme, pasi çdo vit kryen transferime marramendëse, duke arkëtuar miliona euro. Me skemën e afrimit të elementëve cilësorë dhe huazimit të tyre, deri më tani ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, që e ka ndihmuar dhe në ecurinë europiane. Pikërisht në merkaton e verës, Napoli derdhi plot 13 milionë euro për mesfushorin Marko Rog. Po ashtu, këtë verë Dinamo ka larguar Mashado dhe Gonçalo, po ashtu dhe mesfushorët Musa, Situ dhe Soldo, të cilët i ka huazuar në skuadra të tjera, me synimin për t’i shitur më vonë. Pjesë e Dinamos është dhe talenti i Shqipërisë U-21, Endri Çekiçi, i cili tashmë do të bashkohet me skuadrën nga Zagrebi, por qëndrimi duket i vështirë pasi hapësirat janë të pakta dhe gjasat janë që të provojë veten në një tjetër skuadër. Megjithatë, Dinamo beson tek i riu nga Pogradeci dhe nuk pranon që ta shesë kartonin e tij.
Në afrimet që bën Dinamo tregohet gjithnjë e kujdesshme dhe nuk shpenzon shuma marramendëse. Deri më tani ka harxhuar vetëm 1.3 milion euro, për të transferuar Tongo Dumbia nga francezët e Toluzë për shifrën e 800 mijë eurove dhe mbrojtësin e Jang Bojs, Jan Lesjaks. Po ashtu, ka kthyer në skuadër nga huazimet dhe Zhunjor Fernandes dhe Amir Rrahmanin.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image