Skënderbeu dhe beteja ligjore, ja kur merr fund “odiseja”

Në fillim CAS-i i Lozanës, pastaj verdikti i federatës dhe në fund, rishikimi në rast se klubi i Skënderbeut paraqet prova të reja në këtë hetim. Të kuqtë mund të festojnë në 2018-n

Anton Cicani

Vendimi i dhënë ditën e djeshme nga Etika ka hidhëruar pa masë tifozët e Skënderbeut dhe ka gëzuar ato të Partizanit, ndërsa askujt s’i intereson penalizmi me -12 pikë në kampionatin e shkuar (gjithsesi, renditja nuk ndryshon dhe mbetet sërish në vend të tretë, skuadra korçare) apo gjobitja prej 20 milionë lekësh të vjetra që për Ardjan Takajn & Co janë thjesht një treditësh fazë përgatitore në një vend jashtë Shqipërisë… Pra, të fokusohemi te titulli i edicionit 2015-2016, ku skuadra e Partizanit e mbylli në vend të dytë dhe, pas vendimit administrativ të marrë nga UEFA për të përjashtuar 1 vit nga kupat e Europës klubin korçar, mori pjesë në Champions League në vend të Skënderbeut. Ai titull i është hequr korçarëve, teksa tashmë mbetet që t’i kalojë Partizanit, si ekipi i vendit të dytë. Sigurisht, frika e tifozëve të kuq është që ai titull mund të mbetet edhe pezull, siç ndodhi me atë të Juventusit, që iu hoq kampionati i sezonit 2004-2005, pasi skuadra bardhezi u dënua me rënie nga vendi i parë në renditje te i fundit, duke rënë në Serinë B dhe vitin tjetër duke e nisur me -9 pikë. Por, motivi që ai titull nuk iu dha vendit të dytë në renditje dhe u dogj krejtësisht lidhej me faktin se edhe skuadra nënkampione, pra e renditur në vend të dytë, Milani, do të dënohej me heqje pikësh si përfshirje në tentativë për manipulim dhe kushtëzim ndeshjesh. Në rastin e Partizanit nuk është kështu dhe për këtë arsye, deduksioni juridik të çon në dorëzimin e trofeut.

Hapi 1 – Por, rruga që do të ndiqet nuk është aq e lehtë sa edhe duket, pasi Skënderbeu ka mundësinë e apelimit në CAS të Lozanës, ashtu siç edhe ka paralajmëruar zyrtarisht pasi është njohur me vendimin e Etikës. Dhe, para se të paraqesë dokumentacionin në Arbitrazh, do të duhet të mbledhë provat e duhura dhe të gjejë avokatin mbrojtës që do të paraqitet në Zvicër. Pasi të ketë bërë ankimimin dhe pasi CAS të mblidhet, do të duhet të kalojnë disa muaj për vendimin zyrtar të Arbitrazhit.

Hapi 2 – Më pas, gjithçka do të kalojë në duart e Federatës Shqiptare të Futbollit, që duhet të mbledhë Komisionin e Disiplinës dhe atë Ekzekutiv, për të vendosur nëse titulli i vitit 2016 do të kalojë në duart e vendit të dytë, pra Partizanit, duke i dhënë edhe dëmshpërblimin prej 100 milionë lekësh, sipas rregullores që e përcakton.

Hapi 3 – Nuk përfundon këtu. Sepse, pasi federata të vendosë që t’i japë titullin e vitit 2015-2016 klubit të Partizanit, si vendi i dytë atë edicion, Skënderbeu ka një tjetër rrugë për të ndjekur, pra të rishikohet vendimi, brenda një viti, nëse paraqet prova të reja për t’u mbrojtur. Se çfarë provash mund të gjenden, nëse Skënderbeu dënohet edhe thjesht me kuotat e tregut të basteve, nuk dihet, por të shohim…

Skënderbeu, 1 vit kohë për t’u mbrojtur pasi federata të prononcohet për titullin

Rruga ligjore që mund të ndjekë Skënderbeu, përveç CAS-it (Arbitrazhit Sportiv), është edhe ajo e apelimit të vendimit që federata do të marrë pasi juristët e Lozanës do të kenë mbyllur kapitullin dhe do të jenë prononcuar mbi vendimin e Etikës.

Kodi i Disiplinës, sakaq, ka edhe një “grep” ku mund të kapet Skënderbeu. Në fakt, bëhet fjalë për Rishikimin e Vendimeve, që është edhe Neni 133. Ky Nen flet për Rishikimin e vendimeve. Praktikisht, pasi të merret dhe hyjë në fuqi vendimi përfundimtar, ai i Etikës dhe Disiplinës, që mund t’i dorëzojë titullin dhe trofeun për sezonin 2015-2016 Partizanit, nëse një palë, pra Skënderbeu, do të zbulojë ose prezantojë prova të cilat i konsideron të rëndësishme për të ndikuar në ndryshimin e vendimit dhe shndërrimin e tij në më të favorshëm, atëherë kjo palë do të dërgojë shkresë zyrtare në federatë për të riparë  gjithçka. Kërkesa për rishikimin duhet të paraqitet brenda 10 (dhjetë) ditë nga momenti i zbulimit të arsyeve për rishikim, ndërsa periudha kohore në dispozicion është 1 vit pas hyrjes në fuqi të vendimit përkatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *