Skënderbeu 6 ndeshje në tetor, nesër ndaj Mamurrasit

Të gjitha ndeshjet e kthimit të turit të parë eliminator të Kupës së Shqipërisë janë luajtur, kurse Skënderbeu nuk mundi sepse të enjten e kaluar luajti me Jang Bojs. Skuadra korçare e luajti e para disa javësh ndeshjen e parë ndaj Mamurrasit në Korçë, duke e fituar atë me rezultatin e thellë 8-0. Tashmë pritet takimi i kthimit dhe klubi “Skënderbeu” ka konfirmuar se do të luhet nesër, në qytetin e Korçës. Po nesër skuadra korçare do të fillojë grumbullimin, por trajneri Daja e ka ndarë mendjen që këtë takim thjesht formal ta luajë me lojtarët e stolit. Pritet që nesër ndaj Mamurrasit të luajnë ata futbollistë, që kanë luajtur shumë pak në formacion, ndërkohë që grupi do të plotësohet nga ekipi i të rinjve. Daja nuk do të rrezikojë qoftë edhe një titullar dhe në këtë mënyrë klubi korçar ka zgjedhur ditën e nesërme për përballjen e kthimit të kupës, duke shfrytëzuar edhe momentin e pushimit. Edhe nesër Mamurrasi do të mbërrijë në Korçë, pasi kjo është marrëveshja e arritur mes dy klubeve. Në turin tjetër Skënderbeu do të gjejë ekipin e Besëlidhjes.

Një ndeshje në 4 ditë, ja 6 sfidat e muajit tetor!

Pushimi i këtyre ditëve duket se është i fundit për Skënderbeun deri në dhjetor, teksa pas datës 11 tetor skuadra korçare do të duhet të luajë ndeshje pa fund. Bardhekuqtë këtë muaj, në bazë të kalendarit, do të luajnë 4 ndeshje të Superligës, një në Europa League dhe nesër edhe ndeshjen e kupës me Mamurrasin. Madje, takimi i kupës më 18 tetor mes Skënderbeut dhe Besëlidhjes është shtyrë ndoshta për në muajin nëntor, sepse korçarët një ditë më vonë, më 19 tetor, do të luajë në “Elbasan Arena” takimin ndaj serbëve të Partizanit të Beogradit. Ky muaj mund të quhet edhe muaji i ndeshje në shtëpi për korçarët, pasi nga katër takimet e Superligës, tre do t’i luajë në stadiumin “Skënderbeu” dhe një në transfertën durrsake. Por jo vetëm muaji tetor është i mbushur me ndeshje. Edhe nëntori e dhjetori do të ketë më shumë ndeshje, prandaj ky pushim prej dy ditësh ishte zgjidhja më e mirë, që trajneri Ilir Daja bëri me të tijtë. Nga nesër e në vazhdim ky Skënderbe nuk do të ketë më kohë as të marrë “frymë” dhe jo më për pushime, pasi vetëm në muajin tetor mesatarja do të jetë një ndeshje në 3.8 ditë.

6 ndeshjet e radhës

5 tetor 2017 Skënderbeu-Mamurrasi

11 tetor 2017 Skënderbeu-Laçi

15 tetor 2017 Skënderbeu-Lushnja

19 tetor 2017 Skënderbeu-Partizan i Beogradit

22 tetor 2017 Teuta-Skënderbeu

28 tetor 2017 Skënderbeu-Luftëtari   

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *