Skënder Gega flet nga “Air Albania”: Derbi të lë pa gjumë, iki në Jordani me disa shokë të mirë

Skënder Gega ishte një nga të ftuarit special në takimin që Shqipëria e zhvilloi ndaj Francës, duke humbur me rezultatin 0-2. Ish-trajneri që arriti të shpallte kampion Partizanin ka folur pak edhe sa i përket të kuqëve, por edhe për eksperiencën e re në Jordani.

Megjithëse zyrtarizimi në ambientin e ri pritej prej ditësh, Gega do të shkojë në orët e ardhshme për t’u zyrtarizuar te Al Ramtha, nisur edhe nga axhenda e ngjeshur e tij në Shqipëri. Gjatë një interviste të dhënë për “Ora News”, është shprehur se në Jordani do të marrë me vete edhe disa shokë të mirë për bashkëpuntor.

“Atmosfera ishte e mrekullueshme. Ky stadium i takon të gjithëve. Jam i lumtur dhe i mahnitur për këtë stadium. Atmosfera ishte e mirë, por ndeshja nuk iu përgjigj ashtu siç duhet. Reja ka një eksperiencë dhe histori të veçantë. Shqipëria ndoshta nuk është e duhura. Dhe koha ka qënë e shpejtë. Ka humbje të ndryshme. Ka humbje me dinjitet. Sot ishte e zbehtë. Nëse dikush tregon personalitet dhe merr rezultate nga puna.

Unë mendoj se Reja është i duhuri dhe mendoj se për sa kohë është ai, duhet ta mbështesim maksimalisht. Do të mungojë derbi në këtë stadium. Derbi është derbi. Të lë pa gjumë. Sporti është, fiton ai që e meriton. Partizani është në rrugën e duhur dhe besoj se do të arrijë larg. Nëse një trajner merr një ekip, ai do të ballafaqohet me filozofinë që ka skuadra. Nuk është puna që tre mbrojtësit e qendrës do të mbajnë peshën. Nuk është kështu. Edhe Balaj do të luante më shumë, pasi skuadra duhet të ishte më e ngjeshur. Është e vërtetë që do të marr drejtimin e Jordanisë. Do të nisem këto ditë, por do të marr sinjalin nga ato për të bërë edhe zyrtarizimin. Bashkëpunëtor do të marr shokë dhe miq të mirë, që e duan punën”, tha Gega. /Sport Ekspres/