Skaroni: Më mirë tre herë në Champions, se një titull! Ibra? Fantastik!

0

Pavarësisht humbjes kundër Juventusit, situata në kampin milanist është e qetë. Ekipi ndodhet në vendin e pestë, një më pak se Lacio, por dëmtimet e shumta i kanë shtuar dhimbjet e kokës trajnerit Gatuzo. Ky i fundit po bën mirë, por e ardhmja e tij varet nga rezultatet, siç citon Poalo Skaroni.

Presidenti i Milanit ka folur për “Gazzetta dello Sport”, duke u ndalur tek Higuain, dënimi i tij dhe apelimi i vendimit. Skaroni jep një koment dhe për Zllatan Ibrahimoviç, i cili shihet si një përforcim i mundshëm i sulmit të kuqezinjve.

Champions është një objektiv, madje i detyrueshëm, me Skaronin, i cili preferon më shumë tre kualifikime në këtë kompeticion, sesa fitimin e një titulli kampion. Presidenti largon hijen e Kontes, duke theksuar se nuk ka as numrin e telefonit të trajnerit dhe emri i tij nuk është diskutuar kurrë për stolin e Milanit.

HUMBJA ME JUVEN – “Nuk është se Milani nuk më pëlqeu kundër Juventusit. Pashë karakter dhe dëshirë për t’u përballur, pavarësisht mungesave të shumta.”

MILANI – “Nuk është e lehtë ta thuash se çfarë i mungon këtij Milani, sepse në futbollin modern pjesa sportive duhet të shkojë krah për krah me atë ekonomike. Natyrisht, një skuadër si e jona duhet të jetë gjithmonë në Champions. Modeli që duhet të ndjekim është Juventusi, jo rastësisht dua një stadium të ri bashkë me Interin për të përgjysmuar investimet dhe mirëmbajtjen, si dhe për të dyfishuar vlerën e sponsorëve. Anjelit i them që para një titulli preferoj tre kualifikime rresht në Champions.”

HIGUAIN – “Gonzalo është gjithmonë nervoz, kundër Juves ishte dhe më shumë. Por, ai kërkoi falje dhe nuk ofendoi askënd, prandaj kemi apeluar për dënimin e tij. Megjithatë, në moshën 30-vjeçare, i duhet të mësojë të përmbahet. Salvini? Ai lëshoi një koment të rëndë, por foli si tifoz.”

GATUZO – “E ardhmja e tij varet nga rezultatet, që deri më tani janë pozitive. Xhenaro po bën më mirë se paraardhësi i tij, skuadra ka grintën e tij, edhe pse pas Milan-Betis mu mbushën sytë me lot.”

KONTE – “Ndoshta nuk ma kanë thënë, por unë nuk kam dëgjuar ndokënd ta përmendë. Personalisht nuk kam as numrin e tij të telefonit.”

MERKATO – “Ibrahimoviç është një lojtar fantastik, si tifoz e adhuroj për kombinimin midis lartësisë dhe shkathtësisë. Por, nuk jam unë ai që vendos për merkaton.”

RIKTHIMI I MILANIT – “Në futboll ka dy male të mëdhenj për t’i ngjitur njëkohësisht: atë sportiv dhe atë ekonomik. Janë të ndërthurur dhe mbahen së bashku me fair-play financiar.”

 

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.