Skandaloze, Mateus sulmon ashpër Ozilin

Në Gjermani po bëhet zhurmë e madhe pas startit me humbje ndaj Meksikës dhe gazetarë e analistë mundohen të shpjegojnë pse kampionët e botës e nisën duke dështuar që në start.

Në publik kanë më shumë efekt analizat e legjendave të kombëtares dhe këta të fundit janë treguar shumë të ashpër, ndoshta duke  tepruar.

Një sulm i hapur ka ardhur edhe nga Lotar Mateus, i cili e ka inatin me Mesut Ozil. Sipas Mateusit, Ozil nuk e ndjen peshën e fanellës gjermane, një akuzë e rëndë dhe e turpshme, për një futbollist që prej vitsh përfaqëson në mënyrë dinjitoze Gjermaninë, duke qenë gjithnjë ndër më të mirët në fushë.

“Kur e shoh Ozilin në fushë, më krijohet ndjesia se ai nuk ndihet rehat me fanellën e Gjermanisë veshur, nuk më duket i lirë, duket sikur nuk ka dëshirë të luajë. I mungon zemra, gzimi, pasioni”, shkruan Mateus në editorialin e tij në Bild.

Sipas Mateusit, pas Botërorit Ozil mund të marrë një vendim të bujshëm: “Atij i mungon gëzimi kur luan. Nuk e përjashtoj që pas Kupës së Botës ai të tërhiqet nga kombëtarja”.

Ish-futbollisti legjendar i Gjermanisë vijon: “Prej një apo dy vitesh, Ozil ka luajtur shumë dobët në krahasim me nivelin që ka pasur dhe nuk e ka justifikuar praninë e tij në Kupën e Botës”.

Realisht, sulmet ndaj Ozilit kanë nisur që pas takimin me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan dhe Mateus është ndër të paktët që nuk i ndahet asaj historie.

“E thekson, nuk më shqetëson fare fakti që Ozil nuk e këndon himnin gjerman. Kjo vlen për çdo futbollist, pak rëndësi kanë rrënjët e tij, gjermane, turke apo afrikane. Megjithatë, ajo që vura re në Moskë më nervozoi pa masë: 10 lojtarë gjermanë përshëndetën turmën, vetëm Ozil nuk e bëri. Kjo më bind për diçka: Ozil nuk e kupton pse ka kaq shumë debate rreth tij në Gjermani. Ai nuk e kupton çfarë populli gjerman pret prej një lojtari të kombëtares. Do ishte e drejtë që të shprehte besnikërinë e tij ndaj Gjermanisë pas gabimit me foton me Erdoganin, duhej të ishte treguar i hapur me tifozët”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *