Skandali më i madh i Serisë A si në “WWE”, kapiteni i Atalantës të shtang: Ishte faull për ne!

Një skandal i madh ka përfshirë Serinë A në mbrëmjen e djeshme. Gjithçka ndodhi në Napoli-Atalanta, që si për ironi të fatit dhe të merrte një zhurmë të madhe, pas një penalltie të pastër që iu mohua Napolit në minutën e 88 dhe kur shifrat ishin 2-1, erdhi barazimi në po të njëjtin aksion.

Pamjet janë të qarta dhe nuk kanë vend për asnjë interpretim. Kjaer që mori vendin e Gjimshitit ishte futur për “WWE” dhe jo për futboll. Një goditje në trup kundërshtarit si të ishte një “luftëtar” dhe sportist i forcës, ndërsa topin as që pati mundësinë ta shihte për një sekondë të vetme, pasi po i vinte nga pas shpine.

Ndërkohë që penallti jepen disa prishje të vogla ekuilibri në zonë, kjo duhej të ishte dy herë më tepër e pastër. E vetmja gjë që e justifikon deri diku, nëse mund ta quajmë kështu, është një krah i hapur përpara i sulmuesit Lorente, por që nuk bën asgjë të palejuar në zonë derisa merr goditjen në trup. Kapiteni i Atalantës, Gomez, menjëherë pas ndeshjes ka habitur me fjalët e tij: “Po çfarë penalltie kërkoni? Ai ishte faull për ne, ndërhyrje e Lorentes te Kjaer”. Sigurisht, pasi i ka parë edhe njëherë pamjet, Gomez është penduar për fjalët e thëna. /Sport Ekspres/