Skandali me akademinë Vllaznia/ Vajushi: Ku shkojnë këto lekë zonja Voltana? Bëni “ping-pong” me klubin

Ermir Vajushi ka publikuar një skandal që vjen me akademinë Vllaznia. Nga një pasqyrim i bërë në sektorin e të rinjëve, rezulton se menaxhimi i klubit përfiton shumë para që nuk i shkojnë pjesëtarëve që duhet të paguhen për punën e bërë. Kështu trajnerët e akademisë të cilët duhet të marrin shifrën qesharake prej 300 mijë lekësh, kanë ngelur edhe pa këtë pagesë. Vajushi shprehet se Voltana Ademi dhe këshilli bashkiak e kanë kthyer klubin në një lojë ping-pongu të vërtetë, ku hidhet sa nga njëra anë e në tjetrën.

“E ashtuquajtura akademia Vllaznia, pasi nuk mund ta quaj akademi një sektori që nuk ka fushë sepse bën stërvitje në beton, njësoj si t’i nxjerrësh në rrugë. Trajnerët kanë rrogë prej 300 mijë lekësh, qesharake, ndërsa uniformat janë laramane në ndeshje zyrtare, me ngjyra të ndryshme.

Nuk ka bazë materiale, zero, i gjejnë vetë trajnerët, ndërsa klubi nuk siguron asgjë. Trajnerët kanë tre katër muaj që nuk paguhen dhe nuk është hera e parë. Turp që të thuash, për 300 mijë lekë rrogë. Ju mbani trajnerët të Vllaznisë dhe që janë të akademisë, në këtë mënyrë. Po të bëjmë një analizë të thjeshtë për paratë që merr Vllaznia. Prindërit paguajnë rreth 50 mijë lekë në muaj dhe nëse bëjmë një mbledhje, sektori i akademisë përfiton rreth 4 milionë lekë të vjetra në muaj, nga të cilat paguhen rreth 7 trajnera që shkon rreth 2 milionë e 100 mijë lekë. Ku shkon pjesa tjetër e parave, rreth 1 milionë e gjysmë që dalin tepër po them unë.

Ju nuk po paguani as rrogat e trajnerëve që është turpi i botës. Këtë gjë nuk e kam vetëm me ty moj zonja kryetare e Bashkisë Shkodër, por edhe me administratën, por edhe këshilli bashkiak se ju të gjithë jeni një kallëp. E keni kthyer si në ping pong këtë Vllazninë, ku e merr Voltana këtë klub e hedh te këshilli bashkiak. Boll u tallët me Vllazninë, boll u tallët me shkodranët, se lat nam”, shprehet Vajushi. /Sport Ekspres/