Skandali i trukimit në Itali: Përshendetje nga Shqipëria! Humbe ndeshjen, të masakrojmë po gabove

Një skandal i madh është zbuluar në Itali sa i përket trukimit të ndeshjeve dhe kërcënimeve që marrin lojtarët për t’u shtyrë në fiksimin e rezultateve. Krejtësisht pa dëshirën e tyre, të paktën në këtë rast konkret që vjen nga Italia.

Një person nga Catania, që për të frikësuar lojtarin e Monzas që si pronar ka Adriano Galianin, e prezantonte veten si shqiptar, që t’i hapte panik futbollistit që për arsye sigurie mbetet anonim. Në telefonin e tij kanë mbërritur mesazhe kërcënuese pak javë më parë, kur do të zhvillohej ndeshja mes Juventus U-23 dhe Monzas.

Për shkak të një basti që kishte vendosur një person që kërcënimin e kishte kthyer në mënyrë jetese, pjestari i klubit të Monzës duhej të bënte gjithçka që takimi të humbej. Por në fund ndeshja u fitua 1-4 dhe menjëherë “viktima” që mori mesazhin, mbërriti në polici për të denoncuar ngjarjen dhe ku mes të tjerash është zbuluar edhe kërcënimi i ardhur.

“Ti je në mes të dy zjarreve tani. Unë po bëj punën, po të paralajmëroj. Ti duhet ta humbësh ndeshjen. Ne e dimë adresën tuaj dhe gjithçka tjetër. Kemi vendosur 250 mijë euro. Këtu ka shqiptarë dhe njerëz nga Kalabria. Të gjithë në mbrojtje që ndeshja të humbet me 1000%, pasi në të kundërt, ti do ta shohësh veten si një njeri të vdekur. Ose nëse shkon dhe më denoncon, akoma më keq për ty, do të masakrohesh. Ju mund të gërmoni gropën sepse unë do të vi për t’ju vrarë menjëherë. Një përshendetje nga Shqipëria”, ishte mesazhi për lojtarin e Monzas.

Menjëherë strukturat e shtetit janë ngritur në këmbë dhe është zbuluar se numri nga vinin këto mesazhe, ishte rregjistuar në emër të një personi që kishte ndërruar jetë. Por pavarësisht këtij plani të mirmenduar, është arrestuar personi që dërgonte këto përmbajtje dhe ishte nga Catania. Njëkohësisht fotot e basteve të larta që ia dërgonte futbollistëve, pasi lojtari i Monzas nuk ishte i pari, ishin të modifikuara në shuma më të larta për të pasur një goditje psikologjike. Ndërkohë lojtarit policia i ka siguruar mbrojtje, së bashku me familjen e tij, që asgjë të mos i ndodh. Por e rëndësishme është që loja mbaroi! /Sport Ekspres/